Ish-ministri i Drejtësisë dhe një ndër zërat më të angazhuar publik pas largimit nga politika aktive, Ylli Manjani i bën thirrje Partisë Demokratike që të kërkojë ndalimin e procesit të rinumërimit të votave.
Një proces që në fakt ajo vetë e ka kërkuar për të denoncuar farsën zgjedhore.
Megjithatë, siç po rezulton nga procesi transparent që po zhvillohet në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, kandidatët demokratë i kanë vjedhur vota njëri-tjetrit.
Ylli Manjani e konsideron këtë proces një shpartallim total dhe thotë se ai nuk ndihmon aspak hapësirën politike e cila kërkon një mendim ndryshe nga ai i qeverisë. Sipas ish-ministrit, nuk ka më asnjë interes për atë që është “varrosur” në kutitë e votimit, për më tepër kur ajo dëmton vetë opozitën.
Shpresonin për më shumë vota, rinumërohen kutitë e Dibrës: Shifrat “groposin” kandidatët demokratë.
Reagimi i Ylli Manjanit:
Besoj është e qartë se nga i ashtuquajturi rinumërim vetëm sa çimentohet pushteti.
Opozita edhe atë pak kauzë që mund të kishte mbi procesin e parregullt zgjedhor, tashmë e humbet. Me keq akoma kur del se kandidatët e saj i kanë vjedhur votëza njëri-tjetrit.
Shpartallim total me thënë të drejtën, që nuk e ndihmon aspak hapësirën politike e cila kërkon një mendim ndryshe nga ai i qeverisë. Po të isha PD do ta ndaloja këtë proçes diskretitues gjer në dhimbje.
Tani që filloi plazhi as transparenca ska më kuptim. Asnjë interes nuk duket të ketë tashmë se ç’është “varrosur” në kutitë e votimit. Se në fakt kjo që po bën KAS si proçes zhvarrimi ngjan… Por i vdekuri nuk ngjallet më… Të paktën këtej nga trojet tona nuk është ngjallur asnjë i vdekur deri më sot…