Zbardhet kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit: Kërkojmë autorizim për arrestimin e deputetit Sali Berisha

SPAK i është drejtuar ditën e sotme Kuvendit me një kërkesë zyrtare për të lejuar ndryshimin e masës së sigurisë për Sali Berishën, nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’. Në kërkesën e SPAK, ndër të tjera theksohet se Berisha në tre raste ka refuzuar të zbatojë vendimin e gjykatës për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore.

Sipas SPAK, “në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”.

Pjesë nga kërkesa:

Ndodhur në këto kushte, vlerësojmë se, nga hetimet e kryera deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova se nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, është konsumuar vepra penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendore”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i K.Penal.

Lajme të tjera |  Dita e rinisë/ 8 Dhjetori, të rinjtë e PD marshim-protestë në Tiranë: S’kemi luksin të festojmë

Vlerësojmë gjithashtu se, ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit dhe ekzistenca e këtyre kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 228, 229 të K.Pr.Penale, janë vlerësuar dhe konfirmuar tashmë nga gjykatat e posaçme.

Gjithashtu vlerësojmë se ndodhemi edhe në përmbushje të kërkesave të parashikuara nga nenet 231 dhe 260 të K.Pr.Penale. Personi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedurial penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Mbështetur në sa parashtruar dhe shpjeguar më lart, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale,si dhe nenet 13, 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Lajme të tjera |  Bashkia e Vlorës paralajmëron qytetarët për mot të keq ditën e nesërme: Mos parkoni në këto rrugë

KËRKOJMË:

Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë të deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës të masës së sigurimit nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale. Kërkesa u firmos nga dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us