Planet e Hamasit për 7 tetorin e vitit 2023 duket se kanë qenë shumë më të mëdha sesa thjesht një sulm terrorist në një koncert, edhe pse ishte pikërisht ky i fundit që shërbeu si pikënisje për luftën në Gaza që vazhdon edhe sot pas një viti. Sipas një dokumenti prej 36 faqesh, pjesë të të cilit u publikuan nga New York Times, Washington Post dhe Daily Mail, grupi terrorist palestinez po përgatitej për të sulmuar Izraelin nga toka, deti dhe ajri. Një nga planet ishte një “imitim” i 11 shtatorit në Amerikë. Edhe në Tel Aviv, do të bombardoheshin tre nga kullat më të larta të qytetit.

Plani i zbuluar shpjegon në detaje sesi Hamasi synonte të mobilizonte popullsinë palestineze për të sulmuar Izraelin në mënyrë që të sillte fitore por edhe të mbillte frikë në zemrat e armiqëve. Dosja u zbulua nga ushtria izraelite në hard diskun e kompjuterit të një udhëheqësi të Hamasit gjatë një bastisjeje në bazën Bader pranë qytetit të Gazës nëntorin e kaluar, një muaj pas sulmit terrorist.
Dokumenti – i titulluar “Strategjia e duhur për ndërtimin e një plani çlirimtar palestinez” shkruan: Luftëtarët e Hamasit dhe ngritësit e flamurit të islamit duhet të çlirojnë Jerusalemin dhe të turpërojë bijtë e Izraelit.
Ekspertët e sigurisë besojnë se kjo do të thotë se Hamasi po planifikonte të përfshinte Hezbollahun në pushtimin e tij, pasi sulmi fillimisht ishte planifikuar që të niste nga Libani. Plani i pushtimit do të fillonte me hyrjen e terroristëve në Izrael nga fronti verior, por duke depërtuar vetëm 12 milje në territorin izraelit sa për të mashtruar IDF-në (ushtrinë izraelite) se ky do të ishte sulmi i vetëm.

Më pas, ndërsa IDF do të fokusohej në kufirin me Libanin, i gjithë Izraeli do të goditej me breshëri nga raketat e Hamasit nga Rripi i Gazës, si dhe nga Bregu Perëndimor dhe Libani. Plani më pas përshkruante se si celulat terroriste brenda Izraelit do të hidhnin në erë me bomba 3 ndërtesat më të larta në Tel Aviv, të njohur si Qendra Azrieli. Kullat – me 48, 46 dhe 42 kate – kanë një qendër tregtare në katet e poshtme.
Ndërsa Izraeli u do të fokusohej tek hedhja në erë e godinave, luftëtarët e Hamasit do futeshin nga qyteti i Sderot në Jerusalem, për të “çliruar” xhaminë Al-Aksa, vendin e tretë më të shenjtë të Islamit dhe për të pushtuar Knesset, parlamentin izraelit. Planet kishin nisur që në vitin 2021. Yahya Sinwar kishte planifikuar me komandantët e lartë të Hamasit atë që ata shpresonin se do të ishte sulmi më shkatërrues ndaj Izraelit në historinë e Hamasit.
Dokumentet përfshijnë procesverbalet e 10 takimeve sekrete të një grupi të vogël udhëheqësish politikë dhe ushtarakë të Hamasit.
Procesverbali përfshin 30 faqe me detaje të pazbuluara duke zbuluar sesi funksionte udhëheqja e Hamasit. NYT gjithashtu raporton se udhëheqësit ushtarakë të Hamasit në Gaza e kishin informuar liderin e atëhershëm politik Ismail Haniyeh mbi “planin e madh” – emri i koduar i Hamasit për sulmin e 7 tetorit. Por arsyeja se përse nuk e vendosën kurrë nën funksion, ende nuk dihet.