Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet të dërgojë një numër të konsiderueshëm trupash në Bjellorusi, të cilat mund të përdoren në një pushtim të një vendi të NATO-s.
“Askush nuk e kupton se çfarë është lufta derisa të vijë në shtëpinë tuaj. Unë nuk dua të tremb askënd. Por do të vijë”, deklaroi Zelensky në një intervistë për The Economist.
Duke cituar inteligjencën ukrainase, Zelensky tha se Putin po trajnonte 10 deri në 15 divizione, me një total prej rreth 100,000 trupash, për t’u dërguar në Bjellorusi për stërvitje ushtarake, ashtu siç bëri përpara pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022.
“Ai do t’ju thotë se kjo është stërvitje, stërvitje pranë kufijve të Ukrainës. Por më besoni, kjo është duke përgatitur një urë për veprime sulmuese”, tha Zelensky. “Kush ju tha se do të shkojë në Ukrainë? Kush ju tha se nuk do të shkojë në Lituani? Në Poloni? Pse askush nuk mendon se kjo do të ndodhë?”, u shpreh ai.
Që nga pushtimi i Ukrainës, vendet e NATO-s janë përgatitur për agresion të mundshëm nga Kremlini.
Disa liderë evropianë besojnë se një sulm në vitet e ardhshme është një mundësi reale. Në janar, tabloidi Bild raportoi se Ministria gjermane e Mbrojtjes po shqyrtonte një skenar në të cilin Rusia mund të godiste krahun lindor të NATO-s në vitin 2025. Kremlini e hodhi poshtë raportin si “lajm të rremë”.