Me më shumë se 730 mijë vota, Partia Socialiste ka fituar mandatin e katër qeverisës, duke u kthyer në forcën e vetme politike që shënon këtë arritje pas rënies së diktaturës. PD, partia më e madhe opozitare, ka pësuar rënie, por duket se ato që mund të konsiderohen “bastionet” e saj nuk i ka humbur!
ZËRI ka bërë një analizë të imtë të të gjithë qarqeve, bashkive dhe të njësive administrative, duke nxjerrë një listë të zonave që opozita ka fituar gjatë këtyre zgjedhjeve. Por nuk janë shumë…
“Bastione” ka ende Lezhën, Kukësin dhe bindshëm Kavajën, por nuk mbeten pas edhe disa zona të tjera, ku në shumicë dërrmuese votat i kanë marrë socialistët. Ashtu siç ia ka dalë që të “rrëmbejë” disa zona ku ka “mbretëruar” Partia Socialiste, ka pasur edhe qarqe, ku nuk ka fituar askund. Shembuj të tillë janë Berati, Elbasani, Fieri, Korça dhe Vlora. Në këto 5 qarqe, në rastin më të mirë, opozita i është afruar kundërshtarëve, por sërish është larg “fitores”.
Ndryshe duket situata në Gjirokastër. Nëse i gjithë qarku është ngjyrosur mavi, demokratët kanë arritur që të “rrëmbejnë” zemrat e banorëve të fshatit rebel, Lazaratit. Në Lazarat, Partia Demokratike ka mbledhur 87.77 % të votave që u futën në kuti më 11 maj. E kundërta ka ndodhur në Shkodër, ku Partia Demokratike ka dominuar, ndërsa socialistët kanë marrë vetëm Malësinë e Madhe, atje ku garonte e para e listës, Marjana Koçeku. Në “hak” i është futur Partia SocialDemokrate, e cila ka marrë 5951 vota në Vaun e Dejës. Por nuk ka asnjë surprizë, pasi kjo zonë ka qenë gjithmonë bastion i Tom Doshit.
Teksa jemi në Shkodër, Partia Demokratike ka marrë të gjitha bashkitë dhe njësitë e tjera: Fushë-Arrëz, Pukë, Shkodër qytet. E gjithë harta (përveç 2 përjashtimeve) në këtë qark është ngjyrosur blu. Edhe në Dibër fitorja dukej e sigurtë për maxhorancën, por opozita ka arritur që të rrëmbëjë: Fushë Çidhën me 483 vota; Kalanë e Dodës, me 219 vota; Selishtën me 167 të tilla; Macukull, 248 dhe Rukajn, me 504 vota.
Votat e demokratëve i kanë dhënë fitoren “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” edhe në Krujë, Katund i ri (2265), Fushë Krujë (5097), Nikël (2328) dhe Xhafzotaj (2594). Por nëse në të gjitha njësitë administrative fitorja ka qenë e pastër, në Krujë (qytet), gara ishte shumë e ngushtë. PD ka fituar me 46.87 të votave, përkundrejt 46.29% që kishte siguruar Partia Socialiste.
Edhe Lezha është kthyer në një bastion të opozitës. Fitorja e opozitës ishte e plotë në Kurbin dhe Mirditë, por jo në Lezhë qytet. Megjithatë edhe ky rast ka përjashtime, pasi në rrethin e Lezhës, opozita ka arritur që të fitojë në Balldren, Shënkoll, Ungrej dhe Zejmen.
Në qarkun e Tiranës, opozita ka marrë Kamzën dhe Kavajën, por jo njësitë administrative të këtyre Bashkive. Ndërsa maxhoranca bindshëm ka fituar në Rrogozhinë, Tiranë dhe në Vorë. 3-2, për qarkun me 5 bashki, ky rezultat mund të konsiderohet një humbje për maxhorancën, duke marrë në konsideratë faktin që pak vite më parë, shënuan fitoren e parë në Bashkinë e Kamzës.
Ndryshe nga të gjithë qarqet e tjera, opozita i ka fituar të gjitha bashkitë e qarkut të Kukësit, Hasin, Kukësin dhe Tropojën./ZËRI