Zgjedhjet/ Luan Baçi: Të gjithë të mbajnë përgjegjësi për humbjen e PD, përveç Berishës!

Faji për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit ishte i qeverisë dhe Edi Ramës, për shkak të përdorimit të makinerisë shtetërore dhe manipulimit të votave. Kështu tha deputeti demokrat Luan Baçi, i rizgjedhur nga lista e sigurt e qarkut të Fierit (pret certifikimin përfundimtar). Ai theksoi se për të nuk ka rëndësi nëse rinumërimi i votave në atë qark do sjellë ndryshim rezultati, por se mjaftonte të faktohej farsa elektorale.

Baçi nënvizoi se për humbjen që nuk preku vetëm Fierin, por të gjithë Shqipërinë, përgjegjësia nuk është e Sali Berishës, sepse ai e mbajti partinë të bashkuar dhe i dha mbi 520 mijë vota, por këtë përgjegjësi duhet ta mbanin të gjithë të tjerët përveç atij.

Deputeti kërkoi publikisht që votat të mos numëroheshin më nga komisionerë të zgjedhur nga partitë politike, por nga administrata e KQZ dhe numërimi i fletëve të bëhej njëherësh për kandidatë dhe subjekte dhe jo njëri pas tjetrit, duke rritur rrezikun e ndërhyrjeve.

Për situatën që solli rinumërimi pas ankimimeve të kandidatëve demokratë, për të cilat edhe Baçi u shpreh pro, ku u zbulua vjedhja e votave brenda PD-së te vota preferenciale, ai renditi disa shkaqe, teksa pranoi se nga të dyja partitë pati ndërhyrje. Duke iu referuar rezultatit të qarkut të Fierit, ai i qëndroi kauzës sikurse kryetari i tij Sali Berisha, se ishte manipulim masiv, duke u përdorur të gjitha taktikat nga ana e qeverisë dhe drejtuesja politike socialiste e qarkut, zv/kryeministrja Belinda Balluku.

“Fieri ishte shenjë e gjallë e manipulimit të votës së 11 majit. Zv/kryeministrja e qeverisë, Belinda Balluku zbriti 5-6 muaj para për procesin zgjedhor në Fier, jo vetëm por bashkë me makineri shtetërore. Nga frika që kishin zbritën 6 muaj para për të regjistruar banorë nga qarqet e tjera në atë të Fierit. E lehtë për t’u regjistruar në qarkun e Fierit, ku pati shumë qytetarë që nuk ishin banues aty, por bënë edhe punën e patronazhistëve. Janë manipulatorë të vullnetit të qytetarëve, punonjës të administratës, që paguhet me taksat e qytetarëve që u përfshinë, lokale dhe qendrore. U përdorën punësimet, legalizimet, lejet e ndërtimit, punësimet në Albpetrol gjatë këtyre muajve kanë qenë pa kriter. Të gjitha këto janë shkelje e faktueshme. Nëse PS nuk do bënte të gjitha këto, padiskutim PD do kishte fituar”, vijoi Baçi diskursin e tij për humbjen e 11 majit.

Lajme të tjera |  “Dua të plotësoj ëndrrën e Nanos dhe Agollit” - Erion Braçe: Ia kemi dalë të stabilizojmë vendin

Ai sugjeroi që KQZ duhet të urdhëronte numërimin e votës kandidat dhe subjekt në moment dhe jo njëra para dhe pas saj tjetra.

“Janë të gjitha arsyet e shkeljeve të gjetura deri tani. Ka dhe gabime njerëzore. Por kjo nis që nga procesi në KQZ apo fleta e votimit. Në Fier Balluku me Ramën grabiti edhe listën e mbyllur të PD-së. Unë jam me mendimin pse nuk numërohet vota për të dyja në moment, edhe kandidati edhe subjekti. Opozita e ka ngritur si shqetësim, edhe unë e kam ngritur. Nga të dyja krahët ky problem. Që këtu nis problemi, te ndërhyrjet nga të gjitha palët sepse KQZ nuk e ka zgjidhur siç duhet. Një tjetër faktor ka qenë lodhja e numëruesve dhe më pas vjen ndërhyrja nga secila palë sipas preferencave”, shpjegoi ligjvënësi demokrat, që pret rizgjedhjen me anë të certifikimit përfundimtar të rezultatit të 11 majit.

Lajme të tjera |  TRONDITET tregu/ Çmimet globale të naftës rriten ndjeshëm pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit!

Ai mbështeti kërkesat e kolegëve dhe kandidatëve për transparencë në ankimime brenda partisë. Gjithashtu sugjeroi publikisht që votat në zgjedhje të mos numërohen më nga komisionerë të partive, por nga administrata e KQZ-së. Madje hodhi dyshime të forta se u shkel ligji, sepse shumë numërues ishin me shkollë të mesme dhe jo të lartë.

Përsa i përket analizës së humbjes, ai theksoi se ajo do bëhet vetëm brenda partisë dhe ai do të shprehej vetëm brenda strukturave dhe jo në publik. “Diskutimet për rezultatin dhe krerët politikë të qarkut kemi vendin e duhur dhe kohën e duhur për analizë të brendshme në parti, brenda familjes tonë dhe jo në publik, këtë mendim kam pasur gjithmonë. Rezultati është caktuar para 11 majit, u grabit nga kryeministri dhe nuk ndikonte gjendja e aleatëve brenda nesh tek ky rezultat. Janë diskutime që i takon t’i bëjë PD-ja dhe do i bëjë partia, brenda saj”, vijoi deputeti.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us