Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi kërkesën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024. Kërkesa u dorëzua një ditë më parë, në limitet e afatit për regjistrim në zgjedhjet e parakohshme.
Komisioneri vendosi regjistrimin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” përfaqësuar nga Sali Berisha dhe do të ketë në përbërje 10 subjekte zgjedhore: Partia e Lirisë (PL); Partia Republikane (PR); Partia Demokristiane (PDK); Partia Balli Kombëtar (PBK); Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ); Fryma Re Demokratike (FRD); Partia Demokratike (PD); Partia Agrare Ambjentaliste (PAA); Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD); Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar (PBD).
Në seancën e sotme publike Komisioneri caktoi vendndodhjen e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie Himarë.
Partia Socialiste do të kandidojë e vetme me kandidatin e saj, Vangjel Tavo, ish-Prefekti i Vlorës. Ndërkohë, Partia Demokratike do të futet në këto zgjedhje me koalicion, që do i prijë vete, tashmë që ka marrë dhe ligjërisht vulën dhe logon e partisë me vendim të Gjykatës së Apelit dhe pjesë e së cilës janë aleatët e saj opozitar, të cilët do të mbështesin, Petro Gjikurinë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten e 12 Korrikut që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Pas negociatave mes PBDNJ dhe Partisë Demokratike është rënë dakord që opozita të garojë për Bashkinë Himarë me emrin e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Petro Gjikuria. Ndërsa PS do të garojë me ish-Prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo.