Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha duket se nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Sot zbuloi se për të, hapi i radhës është zhvillimi i protestave për kundërshtimin e rezultatit me pretendimin se votimet nuk ishin të lira. Kështu, tubimi i parë do të mbahet më 16 maj, ditë që përkon me Samitin me liderët e vendeve të Bashkimit Europian, të cilët do të vijnë në Shqipëri. Sipas kryedemokratit Berisha, ata janë personat që duhet të mësojnë se në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje të rregullta, por të diktuara nga bandat dhe grupet kriminale.
“Ne nuk bëhet fjalë kurrë që të pajtohemi me këto zgjedhje. Jo ta harrojnë. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin sa i takonte ne si opozitë, që Shqipëria të ketë zgjedhje. Tani opozita ka detyra që do ti përmbyshë me vendosmëri. Protesta më datë 16 është në emër të një populli, që votën ia dikton Revolja pas kokës, ia dikton Poja, Suel Çela, Bledi Xhabafti, ia diktojnë bandat. Është fillimi i një beteje që nuk ndalon më,”-tha ndër të tjera në fjalën e tij, Sali Berisha.
Në momentin që nga gazetarët e pranishëm në konferencë iu përmend i ashtuquajturi “Neni Basha”, që dikton dorëheqjen e kreut të partisë në rast se zgjedhjet humben, Berisha tha: PD ka statutin dhe do i përmbahet asaj, por ka disa parime eprore dhe këto parime është vota e lirë e shqiptarëve. Kjo parti vazhdon betejën për votën e lirë të shqiptarëve. Ju jeni dëshmitarë se si në mes të fushatës, 1 javë para zgjedhjeve, në Valencia Edi Rama u damkos si që blen vota me lek, me zarfa, me prokurorime, me kanabis, me punësime. Të gjitha format e blerjes së votës. Ai, ju garantoj unë ju, se nuk ka akt dhe gjë në botë që nuk do ndërmarrë për të mbajtur karrigen sepse është zhytur në krime të tmerrshme. Ka luajtur vetë me votën, me rendin me të gjitha.
Kështu, la të kuptohet edhe njëherë se dorëheqje nuk do të ketë.
DEKLARATA E BERISHËS:
Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale. Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhje, kryebanditi Blendi Xhabafti, mori vota dhjetë herë më shumë se kandidati i dytë në lista. Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet. Por, skena si Vora ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjerë, Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera. Pra, në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste. Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në parlamentin shqiptar sa në këtë parlament. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Mund t’u them ju se në rrethin e Durrësit, bandat punonin për deputetë të veçantë. Tjetër Balla, tjetër Dyrmishi, tjetër ky, tjetër ai. Dhe jo më pak në Elbasan kjo skemë. Po kështu në Fier, Mallakastër. Pra, këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, seria killera, trafikantë, dhunues, përdhunues. Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit. Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për t’u mbjellë. Çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1 mijë euro, është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë. Punësimi, punë për votë, u aplikua masivisht në këto zgjedhje. Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur në strofulla ose rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste, ndaj zgjedhësve shqiptarë. Dy drejtuesit më të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, zëvendës të drejtores, u morën javët e para me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës duke shkelur ligj dhe çdo gjë. Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral.Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë. Ju e morët vesh besoj, se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6 përqind. Pra, kemi të bëjmë me Korenë e Veriut. Kjo është e vërteta. Në qoftë se nga Greqia, ardhja me postë të zakonshme çdo ditë para se famëziu, krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, ishte 1000-1300 zarfe, pas dërgimit të kriminel Ballës në Greqi, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara. Ju besoj se po e ndiqni numërimin e votave në diasporë se si ato janë me shenjat më të sigurta të falsitetit dhe manipulimit. Thirrja ime është kjo për të gjithë komisionerët që po bëjnë punë me vetëmohim, të numërojnë çdo votë në dëshmi të respektit tonë të palëkundur ndaj atyre që në kushte terrori kanë votuar për opozitën. Të regjistrojnë dhe të mbajnë shënim çdo parregullsi. Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij.