Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se mazhoranca është e prirur të bëjë ndryshime ligjore për ligjin elektoral, vetëm në interes të saj.
Komentet Alibeaj i bëri në Euronews Albania, ku tha se ai përfaqëson vetëm PD në Komision, por shtoi se është pro përfaqësimit edhe të rrymave të tjera opozitare.
Ai tha gjithashtu se pjesa tjetër e opozitës, duke nënkuptuar “Rithemelimin” e udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, me veprimet e tyre i shërbejnë mazhorancës dhe kryeministrit Rama.
“Komisioni i Reformës Zgjedhore është i prirur mesa duket që të bëjë ndryshime ligjore vetëm në interes të mazhorancës, dhe jo si një marrëveshje politike konsensuale më të gjithë spektrin politik.
Edhe një pjesë e opozitës, e përfaqësuar plotësisht në Komision, me veprimet e veta i çon ujin mullirit të Edi Ramës. Unë e kam thënë gjithmonë, unë përfaqësoj vetëm një pjesë të opozitës, përfaqësoj PD. Do të ishte gabim të merrja përsipër edhe interesat e partive të tjera opozitare.
Më herët ka qenë kërkesa jonë, pra e PD, që në Komision të përfaqësoheshin edhe partitë e tjera opozitare, Partia e Lirisë, PR, PDIU, etj, sepse duhet të përfaqësohen të gjitha flukset opozitare”, tha Alibeaj.