Zhvillimi i sportit në vend, a mund të jetë “remitancë”?

Nga Monitor

Pjesëmarrja e Shqipërisë, për herë të dytë, në Kampionatin Europian të Futbollit, është një ngjarje me ndikim kombëtar, por edhe në këndvështrimin ekonomik. Federata Shqiptare e Futbollit do të përfitojë të paktën 9.25 milionë euro nga pjesëmarrja e Kombëtares në këtë garë.

Në varësi të rezultateve, përfitimi mund të jetë edhe më i lartë, ndërkohë që pjesëmarrja në këtë eveniment shton potencialet për përfitime shtesë nga sponsorët dhe marketingu.

Në vitet e fundit, janë kryer disa investime të rëndësishme në sport, ndër të cilët më madhor ka qenë stadiumi i ri “Air Albania”, ndërkohë që janë rikonstruktuar edhe disa prej stadiumeve të tjerë në vend. Por, zhvillimi i sportit kërkon shumë më tepër.

Po të shohësh Kombëtaren e Futbollit në dekadat e fundit, duke përfshirë edhe atë të tanishmen, e cila siguroi kualifikimin në Europian, duket qartë se pjesa më e madhe e tyre janë produkt i diasporës, me origjinë nga të gjitha trevat shqiptare.

Ata janë rritur jashtë vendit dhe kanë arritur të ndërtojnë karrierën e tyre në vende ku organizimi i sportit është në nivele shumë më të larta.

Vetëm një pakicë e lojtarëve janë produkt i zinxhirit të zhvillimit të futbollit në Shqipëri dhe kjo nuk është rastësi.

Futbolli ka vuajtur nga përkeqësimi dhe tkurrja e infrastrukturës sportive, nga rënia e stimujve të të rinjve për t’u angazhuar në aktivitete sportive, nga fenomene më të gjera sociale dhe ekonomike, si emigracioni, etj.

Lajme të tjera |  Tre orë "terror", Athina u kthen pasaportat gazetarëve shqiptarë

Ashtu si ekonomia e vendit, për dekada të tëra, është mbështetur te remitancat, edhe sukseset e Kombëtares së Futbollit në një masë të madhe janë një formë “remitance” sportive, e ardhur nga emigracioni shqiptar.

Suksesi i Kombëtares “kamuflon”, deri diku, mungesën e cilësisë dhe investimet serioze në sportin shqiptar. Nëse shohim disiplinat e tjera sportive, zhvillimi i tyre dhe niveli i përfaqësimit të Shqipërisë është shumë i ulët, me disa përjashtime të pakta dhe sporadike.

Në shkollat shqiptare, prej disa vitesh, është vendosur një shtim i orëve të edukimit fizik, me nismën personale të Kryeministrit.

Por, ndërkohë që orët e edukimit fizik janë shtuar, vështirë se mund të thuhet e njëjta gjë për infrastrukturën që do të mundësonte aktivitet sportiv optimal për fëmijët dhe të rinjtë, si fushat, palestrat apo mjediset sportive në përgjithësi.

Tirana dhe qendrat e mëdha urbane të vendit janë betonizuar, pa përfillur nevojën për të ruajtur disa ekuilibra në urbanizim dhe për të ruajtur apo për të zhvilluar mjedise publike, rekreative ose sportive.

Stadiumet moderne janë padyshim vepra që i bëjnë më shumë reklamë një qeverie, apo federate. Nuk mund të mohohet se stadiumi “Air Albania” ka ndikuar pozitivisht për ta shitur më mirë futbollin si produkt, duke ndikuar në rritjen e të ardhurave për federatën apo klubet e futbollit.

Por, suksesi afatgjatë në sport ndërtohet sidomos mbi atë infrastrukturë që është më pak e dukshme dhe që shet më pak në kuptimin politik: është sidomos në bazën e piramidës së zhvillimit të sportit që nevojiten investime.

Lajme të tjera |  "Shpëtova botën, humba vëllanë"/ Infermierja 70-vjeçare që shërbeu gjatë COVID: Mbeta pa sy e zemër...!

Do të jetë e dobishme që të ardhurat e konsiderueshme që mundësojnë ngjarjet e tilla, si pjesëmarrja në Europian, të investohen në projekte për zhvillimin e futbollit në vend.

Pavarësisht sukseseve të pjesshme në sport dhe të ardhurave që mund të sjellë pjesëmarrja në Europian, sigurisht që zhvillimi i sportit në vend nuk mund të jetë mision vetëm i një federate.

Ajo kërkon strategji të zhvillimit të infrastrukturës, sistemit arsimor, kulturës dhe stimulimit të sportit.

Në kushtet e mundësisë së pakët, por ndoshta edhe vëmendjes së pakët investuese nga strukturat shtetërore, një pengesë reale për stimulimin e sportistëve në vend është edhe mungesa e një ligji për sponsorizimet.

Mungesa e një ligji të tillë kufizon edhe investimet në sport nga sektori privat. Përveç kufizimeve të tjera, nuk duhet harruar se angazhimi në aktivitete sportive, sidomos në nivel profesionist, është i kushtueshëm. Jo çdo familje shqiptare ka mundësi të investojë që fëmija të zhvillojë më tej pasionin apo talentin që mund të ketë në sport.

Duke marrë në konsideratë vëmendjen e madhe që tërheq sporti dhe sidomos futbolli, janë mjete të rëndësishme edhe të promovimit të imazhit të një vendi. Në këtë kuptim, investimi në sport, në përgjithësi, përkthehet në rezultate që shkojnë edhe përtej sportit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us