Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet lidhur me zjarrin që ra në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Për të vijuar me hetimet, Prokuroria ka sekuestruar dosjen e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ka nisur nga puna. Për t’u marrë në pyetje janë thirrur si autoritetet kontraktuese për tenderin, por edhe kompania fituese që kreu punimet. Në të njëjtën kohë, Prokuroria kërkon një inspektim të ri, për të mësuar nëse do të dilet në të njëjtin përfundim. Kjo pasi ekspertët e zjarrfikësit dolën në përfundimin se zjarri nisi nga dhoma ku hidheshin bateritë e emergjencës. Kështu në kuadër të procedimit penal “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, hetuesit në Tiranë kanë kërkuar rinispektim për shkaqet e zjarrit.

“Është administruar vendimi teknik i zjarri për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe jemi në pritje të përgjigjes nga ana e ekspertëve të MNZ-së, Bashkia Tiranës. Deri në këtë fazë hetimore, rezulton se ngjarja në fjalë është një ngjarje aksidentale dhe zjarri në katin “-2” të godinës, në dhomën ka rënë si pasojë e një keqfunksionimi të pajisjeve të baterive (U.P.S.-ve), nga ku rezulton se është dhe vatra e zjarrit. Nga ana jonë, janë kryer të gjitha veprimet paraprake dhe materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore,“-shkruhet në dosjen e Prokurorisë.
Më 11 shkurt, një zjarr ra në urgjencën e re të QSUT-së. Fillimisht u dyshua se shkak për flakët ishte bërë një defekt në bateritë e serverëve, të cilët ndodheshin në katin -2, e po ashtu në të njëjtin përfundim doli dhe Zjarrfikësja. Urgjenca kishte 1 vit që ishte inauguruar në momentin kur u përfshi nga flakët, por fatmirësisht nuk kishte persona të lënduar.
Për ngjarjen më pas, më 2 mars, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” për zjarrin në Urgjencën e Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’. Deri më tani, ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, por me nisjen e marrjes në pyetje të përgjegjësve, mund të ndryshojë, edhe pse paraprakisht është dalë në përfundimin se zjarri është aksidental.