Zjarri shkrumbon banesën në Blinisht të Lezhës, familja me 5 anëtarë në qiell të hapur

Pesë anëtarë të familjes Marku në Blinisht të Lezhës kanë mbetur në qiell të hapur, pasi zjarri u ka shkrumbuar banesën. Flakët, që dyshohet se nisën nga një shkëndijë elektrike, janë përhapur me shpejtësi në të gjithë shtëpinë duke përpirë gjithçka gjetën përpara.

Situata bëhet edhe më e vështirë për këtë familje, e cila tashmë pa banesë sfidohet edhe nga i ftohti. Zjarri nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit, ndërsa kryefamiljari, Land Marku ishte larguar për në punë. Ka qenë djali, ai që ka parë flakët dhe më pas ka lajmëruar anëtarët e tjerë të familjaes për të dalë jashtë.

“Kam shkuar në punë si çdo ditë. E kam lënë familjen, kur ka parë djali flakën ka thirrur motrat e veta. Kanë parë në tavan flakën. Shkëndija elektrike, ka marrë direkt. Unë isha në punë, djali ka hap dyert ka dalë direkt jashtë”, thotë kryefamiljari.

Lajme të tjera |  Evropa po “digjet” nga i nxehti/ Çfarë është fenomeni i ‘kupolës termike’ dhe pse konsiderohet një ‘vrasës i heshtur’?

Fatmirësisht nga zjarri nuk ka persona të lënduar, por djali ka rrezikuar jetën në përpjekje për të shuar flakët me mjete rrethanore.

Nga zjarri, në ‘këmbë’ kanë mbetur vetëm katër muret e banesës, madje edhe tavani ka rënë.

Kryefamiljari Marku bën apel për ndihmë duke thënë se tashmë është i detyruar të dalë e të jetojë në plastmas, pasi në banesë nuk i ka mbetur më asgjë.

“Vetëm muret kanë mbetur. Kërkoj me m’ndihmu, jam vetëm me dal në plastmas. S’ka mbet asgjë”, apelon për ndihmë Marku.
Forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve në banesën në fshatin Kodhel të Blinishtit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us