Ish-drejtuesi i Milanit dhe legjenda e futbollit kroat, Zvonimir Boban, ka folur pa dorashka për situatën aktuale te kuqezinjtë, duke kritikuar mënyrën se si është menaxhuar klubi vitet e fundit, si dhe duke përmendur emra konkretë që sipas tij mund ta çojnë Milanin sërish drejt majave.
“Edhe pse me vonesë, duket se më në fund e kuptuan te Milani sa paaftësi kishte në zgjedhjen e personave të duhur në pozicionet e duhura,” – tha Boban. “Klubi nuk është thjesht biznes. Futbolli është sport, është ndjenjë, është lidhje me njerëzit e fushës. Ata mendonin se mjafton një skaut, një administrator, një president dhe një trajner. Por nuk funksionon kështu.”
“Duhet dikush që të jetë pranë ekipit çdo ditë, që të flasë me trajnerin, të kuptojë ndjesitë, të mbajë grupin të lidhur. Ky është roli i një drejtori sportiv të vërtetë.”
Në këtë kontekst, Boban përmendi me vlerësim emrin e Igli Tares, ish-drejtorit sportiv të Lazios:
“Tare është një drejtor sportiv i shkëlqyer sipas mendimit tim. Ai kupton futbollin, mendon për çdo detaj dhe punon 24 orë në ditë. E njeh mirë momentin kur duhet të ndërhyjë me lojtarët apo trajnerin. Kjo është e pazëvendësueshme. Por biznesmenët që nuk kanë qenë kurrë në futboll nuk e kuptojnë këtë nevojë – dhe për mua, ky ka qenë një gabim shumë serioz.”
Në fund, Boban dha një sinjal shprese për të ardhmen:
“Më vjen mirë që e kuptuan se kishin humbur rrugën. Shpresoj që me ardhjen e Allegrit, Milani të rikthehet aty ku i takon – jo për të fituar thjesht një Kupë Italie apo Superkupë, por për t’u rikthyer në elitën e vërtetë.”