Jetmir Topalli është futbollisti më i ri i ekipit të Bandirmaspor. Pasi mbylli aventurën e tij me Istanbulspor, 27-vjeçari vendosi të transferohej te skuadra që militon në Ligën e Parë turke.
Topalli ka firmosur me Bandirmaspor një kontratë 3-vjeçare, pra të vlefshme deri në verën e vitit 2028. Ndërkohë që klubi turk nuk ka paguar asnjë “lek” për shqiptarin, pasi ishte lojtarë i lirë në treg.
Bandirmaspor e sheh 27-vjeçarin shqiptar si të duhurin për repartin e sulmit. Deri më tani në karrierën e tij, Jetmir Topalli ka luajtur 213 ndeshje, duke shënuar 45 gola e asistuar në 19 të tjerë.
Kujtojmë se Topalli është një lojtar i dalë nga Superliga e Kosovës. Ai ka luajtur për ekipe si 2 Korriku, Vushtrria, Feronikeli dhe Ballkani, para se të transferohej në Turqi.