Rënia e Laçit nga Kategoria Superiore po sjell pak nga pak largimin e lojtarëve që kanë luajtur një rol kryesor në projektin e kurbinasve në vitet e fundit në elitë. Pas kapitenit Uilliam Kordeiro Melo, kurbinasve sot u ka dhënë lamtumirën edhe një tjetër futbollist brazilian, Kristian Da Lima.
Qendërmbrojtësi i afruar dy vite më parë te Laçi, ishte kthyer në një titullar në prapavijën e kësaj skuadre, por me rënien nga kategoria, ka mbyllur marrëveshjen me klubin, në kërkim të një aventure të re.
“Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit, presidentit dhe drejtorëve, jam mirënjohës për këto dy sezone që kam veshur këtë fanellë. U uroj suksese të gjithëve në klub”, ishte mesazhi i tij i lamtumirës nga kurbinasit në rrjetet sociale, duke mos vazhduar aventurën me ta edhe në Kategorinë e Parë.