Tashmë gjithçka është zyrtare. Xabi Alonso do të largohet nga Bayer Leverkusen në fund të këtij sezoni. Lajmin e ka bërë të ditur klubi gjerman nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Trajneri spanjoll largohet nga Leverkusen pas 2 vitesh e gjysmë, ku gjatë kësaj periudhe ia doli të fitonte titullin kampion sezonin e kaluar. Ndërkohë ka fituar edhe Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën.
“Pas 2 vitesh e gjysmë të paharrueshme dhe periudhës më të suksesshme në historinë e klubit tonë, trajneri ynë kryesor Xabi Alonso do të largohet nga Bayer 04 Leverkusen në fund të sezonit”, ka shkruar klubi në rrjetet sociale.
Kujtojmë se Bundesliga ka edhe 2 ndeshje për të mbyllur sezonin, teksa aktualisht ndodhen në vendin e 2-të me 68 pikë. Vlen të theksohet se Alonso pritet të marrë drejtimin e Real Madrid pas largimit të Carlo Ancelottit.