Rinisin kërkimet për 27-vjeçarin e zhdukur, Ajet Lleshi! Kërkimet kanë riniszur në orët e para të mëngjesit, teksa në operacion janë angazhuar Policia, Emergjencat Civile, Ushtria,ekipi i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës si edhe banorë të zonës në Kishaj të Hasit. Prefekti i Kukësit, Dritan Baji, lajmëron se kërkimet po zhvillohen në Bjeshkët e Domajëve përballë Malit të Pashtrikut, ku sipas familjarëve 27-vjeçari shkoi për të prerë dru.
Për kërkimin e të riu është vënë në dispozicion edhe një helikopter ndërsa zonat po vëzhgohet edhe nga disa dronë të ekipit të Shërbimit të Kërkim –Shpëtimit Malor të Kosovës. Një ditë më parë prefekti i Kukësit përgenjeshtroi lajmet se i riu është gjetur i pajetë.
Ajet Lleshi humbi kontaktet me familjen më 6 prill, pasi kishte dalë për të mbledhur dru. I riu ka kaluar natën në mal, ku rreth mesnatës ka telefonuar për ndihmë, familjarët edhe pse ishte kohë e keqe u ngjitën në mal për ta gjetur por nuk arritën ta pikasnin.
Babai i të riut bashkë me tre xhaxhallarët e tij dolën në mal për ta kërkuar duke u ndarë në drejtime të ndryshme, por nuk mundën që ta gjenin të riun e zhdukur. Mirëpo, gjatë kërkimeve, humbi edhe i ati i 27-vjeçarit.
Riza Lleshi u gjet pasditën e djeshme, pas disa orësh kërkime në malin e Pashtrikut, në gjendje të rënduar fizike e psikologjike. Ndërsa, kërkimet për të birin ende vazhdojnë.