Kontrata 6 milionëshe/ Sa afër Trump ka mbërritur PD-ja?

Lobimi i shtrenjtë Partisë Demokratike me një kompani shumë pranë paradhomës së presidentit Trump ka shkaktuar një tërmet të vertetë në Tiranë, ku më shumë sesa për shumën e kontratës, janë shqetësuar për përmbysjen e raporteve me Uashingtonin. Në 4 prill një dokument është nënshkruar mes një fondacioni shqiptaro amerikanësh mbështetës së PD dhe një kompanie konsulence “Continental Strategy”. të drejtuar prej një njeriu të afërt të Donald Trump që ka shërbyer si ambasador i tij gjatë mandatit të parë dhe Flamur Nokës nga PD-ja.

Ajo parashikon një pagesë prej 250 mijë eurosh në muaj, me një kohëzgjatje të mundshme 2 vjeçare (nëse palët nuk bien dakord për ta ndërprerë paraprakisht).

Kundrejt një pagese që mund të arrijë deri në 6 milionë euro Partia Demokratike merr në këmbim aksesin në sferat më të larta të politikës amerikane. Ndonëse në kontratë nuk thuhet shprehimisht, mes rreshtave kuptohet se qëllimi i saj është heqja e shpejtë e Non Grata-s për Berishën dhe sensibilizimi i kongresit, senatit dhe pushtetit në Uashington për abuzimet me demokracinë në Shqipëri dhe prekjen e zgjedhjeve.

Pikërisht për këtë servisi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, Dan Holler.

Deri këtu nga përmbajtja e gjitha duket si një kontratë e zakonshme lobimi. Por e veçanta e saj qëndron në faktin se kompania “Continental Strategy” është e themeluar nga njerëz shumë pranë presidentit Trump. Madje, madje, ajo duket si një prodhim e krijuar nga rrethi i tij i ngushtë. Ai që ka firmosur kontratën që i dhuron shërbime PD-së është Carlos Trujillo (majtas ne foto), themeluesi i kësaj kompanie në vitin 2021, ish këshilltar dhe jurist pranë Trump. Por ka edhe më shumë se kaq. Aty bën pjesë edhe Katie Wiles (biondia ne mes), vajza e Susie Wiles, ish shefja e fushatës së Trump së bashku me La Civitën dhe që sot shërben se shefe kabineti e plotëfuqishme e presidentit amerikan. Po në të njëjtën kompani bën pjesë edhe Alberto Martinez, ish shef stafi i sekretarit aktual të Shtetit, Marco Rubio.

Pra, nuk ka dyshim se me anë të kësaj kontrate PD ka mbërritur shumë pranë qëndrave të politikë bërjes në Uashington. Pikërisht ky fakt dhe jo thjeshtë shuma e parave, kanë shkaktuar një tërmet në Tiranë. Mediat e majta kanë vënë alarmin për paratë e zeza të Berishës dhe kanë mbushur faqet e tyre me thirrje për hetime. Natyrisht jo prej tyre, por me hije të mëdha dyshimi për një urdhër të marrë nga lart, menjherë është bërë i gjallë edhe SPAK. Pa pasur ende në dorë zyrtarisht kontratën që është botuar vetëm në media, Prokuroria e Posaçme ka prishur pushimin e së dielës, pa pritur dot fillimin e javës, për të njioftuar: “Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”.

Lajme të tjera |  Çmimet e apartamenteve te kullat e luksit në Tiranë arrijnë 10 mijë euro/m2

Në fakt, formalisht kontrata me “Continental Strategy” është firmosur nga një i ashtuquajturi, Nuredin Seci, emigrant shqiptar në SHBA, i cili është përfaqëues i një shoqate të komunitetit të Nju Jorkut. Sipas PD-së burimi i saj financiar lidhet me donacionet e emigrantëve.

Në një njoftim të thatë dhe pa shumë detaje Partia Demokratike njoftoi mediat se: “Kontributi financiar per realizimin e ketij qellimi eshte marre persiper 100% nga patriote shqiptare qe jetojne dhe punojne prej dekadash ne SHBA”. Deklarata sqaronte: “Komuniteti shqiptaro amerikan permes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompanine “Continental” per te ndihmuar ne konsolidimin e mardhenieve miqesore te Partise Demokratike si forca me e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverine e SHBA. Synimi i bashkeatdhetareve tane ne SHBA eshte bashkepunimi i PD me aleatin kryesor te Shqiperise per te rivendosur demokracine funksionale dhe shtetin e te drejtes ne Shqiperi”.

Lajme të tjera |  The Times zbulon prapaskenat e takimit të Trump dhe Zelenskit në funeralin e Papës: Dy kushtet nga të cilat ka hequr dorë Kievi

Natyrisht, çdokush edhe mediat, madje edhe prokurorët janë në të drejtën e tyre ta shohim me dyshim këtë version dhe pse jo ta investigojnë atë, aq më tepër që edhe Basha kishte përdorur alibinë e emigrantëve për të justifikuar lobimin e tij në SHBA.

Por, pavarësisht nga dyshimet për kontratën dhe shumën jo të vogël të parave, e vërteta e kësaj që ka ndodhur është disi më ndryshe. Për herë të parë që pasi është larguar nga pushteti në 2013, PD ka arritur të hapë një kanal komunikimi me majat e pushtetit në SHBA, gjë e cila deri më tani ka qenë veëm eksluzivitet i Edi Ramës.

©Lapsi.al

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us