Protestat për Zvërnecin/ Rama: Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt

Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pas protestës së djeshme në Tiranë për zonën e Zvernecit. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar një video ku shfaqet një qytetar protestues që e fyen dhe e kërcënon.

Krah videos, Rama shkruan se Shqipëria do të vazhdojë zhvillimin sipas “kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota”, pavarësisht kundërshtimeve nga qytetarët.

Postimi i plotë i Ramës:

Mirëmëngjes dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes.

Ky reagim vjen pas tubimit të qytetarëve dhe aktivistëve një ditë më parë dhe për të tretën radhazi, që kundërshtuan projektin në Zvernec, duke shprehur shqetësim për ndikimin e tij në një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.

Lajme të tjera |  Rama- protestuesve: Delirantë, injorantë dhe dështakë-zemërakë!

Megjithatë, ky nuk është reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat e qytetarëve. Një ditë më parë, Rama reagoi me një tjetër postim në rrjete sociale, ku ftoi edhe të paktën 20 protestues për bashkëbisedim. Ndërkohë po gjatë ditës së djeshme, 2 qershor, Rama pati një reagim edhe gjatë konferencës për shtyp me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Kryeministri foli për investimin në Zvërnec, duke thënë se investimi nuk do të ndalet. Gjithashtu, ai u ndal te thirrjet në protestën e qytetarëve dhe iu përgjigj protestuesve: “Populli është ai që flet ditën e zgjedhjeve. Na bashkojnë këngët apo nevoja për të thirrur në kor ‘Edi Rama tqr’…”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us