12 celularët që u kapën në paraburgimin e Durrësit mësohet se janë dërguar në laborator për ekspertim. Telefonat u kapën gjatë një operacioni të befasishëm të Policisë së Burgjeve më 29 maj. Arsyeja e dërgimit të këtyre pajisjeve në laborator thuhet se është për të zbuluar se kujt i përkasin dhe nëse janë përdorur nga të paraburgosurit.
Raportohet se celularët janë gjetur në zonën e gjelbër dhe jo në qeli dhe se ekspertimi do të zbardhë nëse përdoreshin prej të paraburgosurëve dhe fshiheshin në ambientin e jashtëm, apo ishin fshehur aty në tentativë për t’u futur brenda qelive.
Kujtojmë se në qelitë e burgut të Durrësit ndodhen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të arrestuar si ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-deputetët Jurgis Çyrbja e Alqi Bllako, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj./ZËRI





