Një fluturim i vazhdueshëm mbi 18 orë, furnizime të shumta me karburant në ajër dhe një sërë karremash – kështu u zhvillua misioni për të bombarduar objektet bërthamore të Iranit. Detajet i dha gjenerali Dan Caine, kreu i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, oficeri me gradën më të lartë në ushtrinë amerikane. Edhe pse ndikimi i plotë i asaj që SHBA-të po e quajnë “Operacioni Çekiri i Mesnatës” është ende i paqartë, disa detaje janë bërë me dije nga mediat.
E gjitha filloi menjëherë pas mesnatës kur sekretari i Mbrojtjes, Hegseth iu bashkua Presidentit të SHBA-së Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance, sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe stafit të lartë të Pentagonit në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Të gjithë bashkë panë një flotë avionësh teksa largohej nga një bazë ajrore amerikane në zonat rurale të Misurit.
Nën mbulesën e errësirës, bombarduesit e fshehtë “B-2” u ngritën nga Baza Ajrore Whiteman. Synimi i tyre: centralet bërthamore më të sigurta të Iranit.
“Trump fillimisht planifikoi të bombardonte vetëm objektin në Fordow, por Netanyahu dhe Dermer e bindën atë të synonte edhe Natanzin dhe Isfahanin,” – tha një zyrtar izraelit për Jerusalem Post.
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot për të diskutuar sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, ndërsa Rusia, Kina dhe Pakistani propozojnë që organi prej 15 anëtarësh të miratojë një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte në Lindjen e Mesme.