24 orët e ‘çmendura’ të Trump: Nga ndryshimi i regjimit në Iran te armëpushimi

Izraeli dhe Irani kanë pranuar një “armëpushim të plotë dhe total”, i cili brenda 24 orëve do të çojë në “përfundimin zyrtar të luftës 12-ditore”. Këtë e ka njoftuar presidenti Trump në rrjetin e tij social Truth, në përfundim të një dite të tensionuar dhe të mbushur me surpriza.

Të dielën, presidenti dukej sikur po shtynte drejt përshkallëzimit të konfliktit, kur, duke përgënjeshtruar bashkëpunëtorët më të afërt, kishte hapur mundësinë për një ndërrim regjimi në Iran, pas bombardimeve ndaj Fordow, Natanz dhe Isfahan: “Nuk është politikisht korrekte – shkroi në rrjetet sociale – të përdorësh termin ‘ndryshim regjimi’, por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta bëjë sërish të madh Iranin, pse nuk duhet të ketë një ndryshim regjimi???” Prej aty nisi edhe përdorimi i sloganit MIGA, në vijim të MAGA-s që e çoi në Shtëpinë e Bardhë.

Të hënën në mëngjes zëdhënësja Karoline Leavitt dha interpretimin zyrtar, duke theksuar se presidenti “thjesht ka shtruar një pyetje që shumë njerëz po e bëjnë”. Ai më pas u bëri thirrje të gjithëve të mos e shfrytëzojnë krizën për të rritur çmimin e naftës. Pak më pas Irani urdhëroi përgjigjen ndaj bombardimeve në tre impiantet bërthamore, duke lëshuar një duzinë raketash ndaj bazës amerikane Al Udeid në Katar, selia qendrore e Komandës Qendrore të SHBA, që Trump eevizitoi më 15 maj. Të gjitha raketat u kapën nga mbrojtja ajrore dhe nuk pati viktima.

Lajme të tjera |  ARRSH hap tenderin 60 milionë euro për Bypassin e Tiranës, lidh Tiranë-Durrës me Tiranë-Elbasan

Rreth orës një të pasdites në Uashington, Trump mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Hakmarrja ndaj Al Udeid u bë tema qendrore, por në vend që të sulmonte ajatollahët, pas takimit ai përdori sërish rrjetet sociale për të shprehur zemërimin ndaj mënyrës se si mediat po paraqisnin pasojat e sulmeve të së shtunës: “Impiantet që goditëm në Iran janë shkatërruar plotësisht dhe të gjithë e dinë këtë. Vetëm lajmet e rreme thonë ndryshe, vetëm për të na denigruar”. Më parë ai kishte sulmuar bashkëpunëtorin e Putinit, Medvedev, për lehtësinë me të cilën kërcënon me përdorimin e armëve bërthamore.

Menjëherë pas kësaj, Trump u rikthye në rrjetet sociale me synimin për të mbyllur krizën: “Irani ka reaguar zyrtarisht ndaj shkatërrimit të impianteve të tyre bërthamore me një përgjigje shumë të dobët, siç e prisnim, dhe që e kemi neutralizuar shumë në mënyrë efektive. Janë lëshuar 14 raketa: 13 janë rrëzuar dhe 1 është ‘lënë e lirë’, sepse po shkonte në një drejtim jo kërcënues. Jam i kënaqur të njoftoj se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe nuk ka pasur dëme. Mbi të gjitha, ata janë çliruar plotësisht nga zemërimi dhe, shpresojmë, nuk do të ketë më urrejtje. Dua të falënderoj Iranin që na njoftoi në kohë, çka bëri të mundur që të mos ketë humbje jetësh. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe do të inkurajoj me entuziazëm edhe Izraelin të bëjë të njëjtën gjë.”

Rezultati ishte i menjëhershëm, siç e njoftoi vetë Trump në rrjetet sociale në orën 6 të pasdites në Uashington: “Urime të gjithëve! Është rënë plotësisht dakord mes Izraelit dhe Iranit që do të ketë një armëpushim të plotë dhe total (brenda rreth 6 orëve nga tani, kur Izraeli dhe Irani do të kenë përfunduar misionet e tyre përfundimtare në zhvillim!), për 12 orë, dhe më pas lufta do të konsiderohet e përfunduar!”.

Lajme të tjera |  Si po “zhduken” lopët e qumështit, në 10 vite tkurren me 37%, qarqet me rënien më të madhe

Mekanizmin ai e shpjegoi kështu: “Irani do të fillojë armëpushimin dhe, në orën e dymbëdhjetë, Izraeli do të fillojë armëpushimin dhe, në orën e njëzet e katërt, një përfundim zyrtar i luftës 12-ditore do të përshëndetet nga bota. Duke supozuar që gjithçka do të shkojë siç duhet, dhe do të shkojë, dua të uroj të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për guximin dhe inteligjencën që treguan për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet ‘lufta 12-ditore’. Ajo mund të kishte zgjatur me vite dhe të shkatërronte të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë! Zoti bekoftë Izraelin, Zoti bekoftë Iranin, Zoti bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoti bekoftë botën!”./La Repubblica

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us