TIRANË– Konflikti brenda koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet” ka përshkallëzuar me akuza të ndjera mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, pas përpjekjes së Zeqir Kordhonit, i afërmi i Shabanit – për të pranuar mandatin e deputetit. Lapaj reagoi ashpër duke dalë sot në një konferencë për shtyp duke i bërë një ftesë publike “aleatit” të tij në zgjedhjet e fundit parlamentare, Endri Shabanit. Në fjalën e tij, kreu i “Shqipëria bëhet” ka bërë edhe propozimin publik duke u shprehur se është i gatshëm që mandatin ta marrë Greta Ambeli. Por shtoi se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ai që shumë shpejt mund të jetë ish-aleati i tij.
Ndërkohë që edhe Endri Shabani nuk ka qëndruar i heshtur. Ai e konsideron skandal që mandati të përvetësohet nga Lapaj, për të cilin pretendon se nuk ka mbajtur fjalën. Përmes postimi në rrjetet sociale, ai deklaroi se Lapaj duhet të mbajë fjalën e dhënë dhe të mos e marrë mandatin e tij si deputet.
“Sqarim publik! SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut? Apo funksionon parimi: “bëj si të them unë, jo si bëj unë”? Për ata që janë të interesuar, më poshtë gjeni marrëveshjen e nënshkruar. Aty nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër. Por është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur. Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë – si ajo e Adriatikut. Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa! Prandaj Zeqiri dhe Kleana duhet të mbajnë fjalën për të dhënë dorëheqjen. Por nëse kryetari nuk mban fjalën i pari, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?,”-shkruan Shabani.





