Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK ku u pyet për herë të parë për “21 Janarin”, një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, e cila doli jashtë kontrollit dhe përfundoi me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë.
14 vite nga ngjarja Berisha tregoi para gazetarëve detaje të pa thëna në lidhje me ngjarjen tragjike. Asakohe Lulzim Basha ka qenë ministër i Brendshëm dhe Berisha rrëfen se më 21 janar të 2011, ministri i asakohe i ka shkuar në zyrën e tij së bashku me komandantin e Gardës dhe i kërkuan të evakuohej, por ai qëndroi në Zyra.
Berisha u pyet nga media edhe për Gardën dhe kush e dha urdhrin për të qëllluar nga godina e Kryeministrisë ku u vranë 4 qytetarë. Kreu i PD mohoi të jetë qëlluar nga brenda godinës dhe sipas tij, Garda nuk merr urdhëra, por ka vepruar sipas ligjit, i cili autorizon të qëllojë kur dikush e kërcënon me objekt.
Sali Berisha: Jo nga brenda, meqenëse u referohesh medieve, merr filmimet. Ushtarët e Gardës kanë qëlluar, jo nga brenda. Është qëlluar nga vendrojet e rojet e gardës. Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë. Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë. Ky ligj është votuar nga PS-ja, jo nga ne. Garda që ta mësoni ju, dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë, nuk funksionon me urdhër, po me ligj. Pra, sado që ta ktheni apo stërktheni, Garda apo çdo vendroje e armatosur funksion me ligj. E qëllove, gjuajtje drejt tij, duhet të qëllojë në ajër. Vazhdove, duhet të qëllojë tek këmbët, vazhdove persistove, duhet të eliminojë rrezikun. Këtë i thotë ligji i Gardës. Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër.
Teksa pretendoi se audio është falsifikuar, Berisha u pyet nga gazetarët se pse shefi i gardës, Ndrea Prendi u shfaq me sy të nxirë pas 21 janarit. Më 20 Janar 2023, gazetari i kronikës Artan Hoxha publikoi materiale që nuk ishin zbardhur më parë. Biseda zhvillohej mes kreut të Gardës në atë kohë Ndrea Prendi dhe zëvendësit të gardës Artan Hoxha, ky i pari i jep urdhër këtij të fundit që të mbajnë armët gati për zjarr. Madje kodi është “gati për zjarr ta-ta-ta”, ndërsa në një moment të dytë në radio flet edhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Sali Berisha; Të falsifikosh një zë është gjëja më e thjeshtë. Janë imituar në autenticitet të plotë jo zëra të njerëzve të thjeshtë, por gjer të presidentë të SHBA, të Obamës. Një urdhër i dalë pas 13 vitesh. Si mund të besoj unë një audio të dorëzuar pas 12 vitesh, është zero, është njësoj si shiriti i Metës. Çfarë ka ndodhur e shpjegon vetë secili. Ndrea Prendi ka qenë në krye të detyrës gjatë gjithë ditës dhe në vlerësimin tim ai ka bërë të pamundur për të bërë detyrën ligjore
Në lidhje me ngjarjen ish-komandanti i Gardës Nrea Prendi u mor i pandehur dhe u dënua me 1 vit burg ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Lidhur me ngjarjen, ku mbetën të vdekur 4 protestues të opozitës (asokohe Partia Socialiste), Predi ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”. Në rrëfimin e tij përballë moderatorit Blendi Fevziu, Prendi shprehej se ngjarja kishte lënë gjurmë tek ai, por shkaktoi debat në publik me pohimin e tij se protestuesit nuk ishin ekzekutuar nga Garda e Republikës, duke pretenduar se mes tyre nuk ka pasur asnjë përplasje me protestuesit.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha.





