Në vetëm 48 orë, 3500 qytetarë të Prrenjasit kanë firmosur peticionin që kundërshton bashkimin me bashkinë e Librazhdit në kuadër të Reformës Territoriale.
Nga ana tjetër duket se Prrenjasi nuk është qyteti i vetëm që kundërshton Territorialen.
Duket se qytetarët e Devollit shumë më herët se Prrenjasi e kanë depozituar peticionin e tyre me firmosje masive që kërkon të mbeten bashki më vete.
Në raportin përfundimtar që sot i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë nga Komisioni për Reformën Territoriale citohet:
“Peticioni me firmosje masive i banorëve të Bashkisë Devoll, i shoqëruar nga mbështetja zyrtare e një shoqate atdhetare-kulturore me degë brenda e jashtë vendit, kërkon që Devolli të mbetet njësi më vete në hartën e re, që fshati Dardhë të përfshihet në të, si dhe votim me referendum popullor nëse kërkesa nuk miratohet nga Kuvendi. Diaspora e Hasit në Mbretërinë e Bashkuar, përmes kanaleve diplomatike, shprehu shqetësim për çdo ndarje të mundshme me territoriale të Hasit dhe implikimet e saj për kohezionin social dhe angazhimin e diasporës.
Bashkia Konispol, Këshilli Bashkiak i Poliçanit dhe një shoqatë vendore e po atij qyteti, një shoqatë nga Fushë-Arrëza dhe qytetarë të njësive administrative Manëz, Ishëm e Sukth (Durrës) kërkuan që konsultimi të zbresë më pranë komuniteteve të tyre, me argumentin se dëgjesat e përqendruara në qendrat e qarqeve kufizojnë pjesëmarrjen reale. Kërkesa nga Fushë-Arrëza shpreh njëkohësisht bindjen se bashkia ka arsye të mbetet njësi më vete, duke evidentuar potencialet natyrore dhe trashëgiminë e zonës.
Banorë e përfaqësues të Velipojës kërkuan ndarjen nga Bashkia Shkodër dhe krijimin e një bashkie më vete, me argumente distance, potenciali turistik dhe vendimmarrjeje më të afërt; një grup përfaqësues i krahinës së Shpatit (Elbasan) parashtroi argumente historike, me krahinore e demografike për një Bashki Shpat; një subjekt politik i lidhur me komunitetin maqedonas kërkoi krijimin e njësive të dedikuara për zonat e Gollobordës dhe të Gorës, me bazë identitare e minoritare dhe me referencë te rasti i Pustecit; dhe banorë të njësisë administrative Martanesh kërkuan kalimin e saj nga Bashkia Bulqizë të Bashkia Tiranë, me argumente lidhjesh etno-kulturore dhe zhvillimi ekonomik.”





