Enkelejd Alibeaj ka folur për rolin e drejtësisë dhe kontradiktat që sipas tij shfaq kryeministri në raport me vendimet e saj.
“Kryeministri deklamoi në krah të Marta Kos që respekton drejtësinë, respekton pavarësinë, por nga ana tjetër e sfidon atë. Së pari e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Por pse duhet vendosur në sfidë gjykata? Sepse çdo veprim i kryeministrit ka një valencë të fortë politike. Tregon qasjen politike jo vetëm si kryeministër por edhe qasjen e Kuvendit. Me këtë veprim tregon që kjo mazhorancë nuk po respekton një vendim të gjykatës.”
Alibeaj, duke folur për RTSH, theksoi se drejtësia po krijon dita-ditës pavarësinë dhe identitetin e saj, ndërsa mazhoranca sipas tij po e sfidon këtë proces.
Duke iu referuar vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, Alibeaj sqaroi se ky institucion ka zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat janë të qarta që prej vitit 1995.
“GJKKO-ja ka zbatuar një dispozitë të Kodit të Procedurës Penale që kur është krijuar, nuk ka krijuar dyshime. Është e qartë dhe thotë që vetëm personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral nuk mund të pezullohen me një vendim gjykate. Pra, në këtë republikë, përveç të zgjedhurve me votë nga sovrani, të gjitha detyrat e tjera publike janë të pezullueshme prej gjykatës kur kërkohet një masë sigurimi.”
Alibeaj e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për forcimin e pavarësisë së drejtësisë dhe përballjen e saj me sfidat politike.





