Grupi Koordinues i Protestës ka dërguar këtë të premte një letër ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri, duke i informuar për kërkesat e lëvizjes qytetare që prej 27 ditësh zhvillon protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Në dokumentin e firmosur nga përfaqësuesit e grupit, protestuesit deklarojnë se lëvizja përfaqëson një mobilizim të gjerë qytetar, paqësor dhe të orientuar drejt mbrojtjes së shtetit të së drejtës, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në letër paraqiten pesë kërkesat kryesore të protestës:
* Dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë aktuale.
* Krijimi i një qeverie teknike, jopartiake, me mandat 12-mujor.
* Reformë e plotë kushtetuese, që do të miratohet me referendum popullor dhe që përfshin reformën zgjedhore, reformën e financimit të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, si edhe kufizimin e mandateve të kryeministrit në maksimumi dy mandate gjatë gjithë karrierës politike.
* Shfuqizimi i ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, “Paketën e Maleve” dhe ligjin për Investimet Strategjike.
* Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë të pavarur dhe shoqërinë civile.
Në fund të letrës janë renditur edhe anëtarët e Grupit Koordinues të Protestës, të cilët e kanë firmosur dokumentin.
Mes tyre janë disa nga figurat kryesore që janë shfaqur edhe duke folur disa herë në shesh, si Luçiana Kokaj, Edviol Kulluri apo Arben Kola.
Grupi Koordinues i Protestës:
* Entela Koja
* Arben Kola
* Megan Balaj
* Edviol Kulluri
* Luçjana Kokaj
* Gentjan Progni
* Gjon Ndoj
* Etleva Merko
* Everest Bardhi
* Përparim Gjeka
* Mevlan Mata
* Ilir Xhemalaj
* Marjen Rama
LETRA E PLOTË:
Shkëlqesive Tuaja,
Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore
të akredituar në Republikën e Shqipërisë
Lënda: Njoftim mbi kërkesat e protestuesve
Shkëlqesi,
Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, që përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare, e cila ka mobilizuar qytetarët shqiptarë për njëzet e shtatë ditë radhazi, kemi nderin t’ju drejtohemi me frymë transparence, përgjegjësie demokratike dhe respekti për vlerat që bashkojnë vendin tonë me komunitetin euroatlantik.
Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për shprehje qytetare, të udhëhequr nga një angazhim i thellë për shtetin e së drejtës, qeverisjen demokratike dhe dinjitetin njerëzor.
Në këtë kontekst, Grupi Koordinues i Protestës paraqet me respekt kërkesat e mëposhtme, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit sovran:
1. Dorëheqjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt ripërtëritjes demokratike.
2. Krijimin e një qeverie kalimtare teknike, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.
3. Reformë tërësore kushtetuese, të mbështetur në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë para ligjit dhe që të miratohet përmes referendumit popullor.
Kjo reformë duhet të përfshijë, ndër të tjera:
Reformimin e Kodit Zgjedhor.
Reformimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke kufizuar çdo individ në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë karrierës së tij politike.
4. Korrigjime të menjëhershme ligjore, duke përfshirë:
Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024).
Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.
Shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
5. Hartimin e një kontrate të re shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, që do të zhvillohet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes qytetare.
Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës. Me respekt ju bëjmë thirrje që të merrni në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesni një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri.
Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane.
Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.





