Një valë e re e të nxehtit ekstrem ka përfshirë Italinë dhe pjesën më të madhe të Evropës, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 45°C në disa zona gjatë ditëve në vijim.
Për të tretën herë brenda pak javësh, autoritetet italiane kanë shpallur alarm të kuq për disa qytete. Sot, niveli maksimal i rrezikut është në fuqi për Firencen, Peruxhian, Breshian dhe Torinon, ndërsa të mërkurën listës do t’i shtohen edhe Bolonja, Frosinone dhe Roma.
Meteorologët parashikojnë temperatura nga 39°C deri në 41°C në pjesën më të madhe të Italisë qendrore e jugore, si dhe në Sardenjë, ndërsa në zonat e brendshme termometri mund të afrohet me 45°C deri në fund të javës.
Përveç vapës ekstreme, Italia po përballet edhe me thatësirë të theksuar dhe mungesë të burimeve ujore, veçanërisht në rajonin e Piemontes, ku autoritetet kanë ngritur alarmin për krizën e ujit.
Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme. Në Firence, korrierët e platformave të shpërndarjes së ushqimit kanë paralajmëruar grevë, duke kërkuar mbrojtje më të madhe për punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta.
Vala e të nxehtit po prek edhe pjesën tjetër të Evropës. Në Mbretërinë e Bashkuar temperaturat mbi 30°C po favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndërsa në Francë flakët kanë përfshirë një pjesë të madhe të pyllit Fontainebleau. Në Gjermani, autoritetet raportojnë rritje të rasteve të mbytjeve, me 99 viktima vetëm gjatë muajit qershor.





