Partizani ka hyrë në javën e dytë të përgatitjeve verore për sezonin 2026-2027. Ashtu si në vitet e kaluara, edhe këtë verë të kuqtë e kanë nisur punën pa goditje në merkato, me përjashtim të prezantimit të stafi t të ri teknik, të drejtuar nga trajneri rumun Florin Bratu. Klubi kryeqytetas e ka kthyer tashmë në traditë afrimin e lojtarëve në fund të merkatos.

Për pasojë, shumë prej tyre kërkojnë pak kohë për t’u përshtatur me skuadrën, ndërsa faza përgatitore shpesh zhvillohet me futbollistë që më pas largohen ose mbeten vetëm alternativa në stol. Aktualisht, Partizani paraqitet me mangësi në disa hallka të rëndësishme.
Klubi vijon të jetë pa drejtor sportiv pas dorëheqjes së Agim Ibrahimit, ndërsa skuadra ka nevojë për përforcime dhe dublime pothuajse në çdo repart. Madje, disa futbollistë të huaj ende nuk i janë bashkuar grupit, duke vijuar të justifikojnë vonesat me procedurat e dokumentacionit dhe vizave. Mungesa e organizimit u vu re edhe në hedhjen e shortit të kampionatit në FSHF, ku Partizani u përfaqësua nga menaxheri i skuadrës, Amarildo Dajlani, ndërsa rivalët kishin dërguar drejtues të nivelit më të lartë, si drejtorë sportivë apo trajnerë.
Nëse klubet pretendente kanë hyrë me ritëm të lartë në merkato dhe në përgatitjet për sezonin e ri, Partizani duket se po e ndërton skuadrën me shumë qetësi e terezi. Mbetet për t’u parë nëse kjo strategji do të japë rezultat, apo do t’i kushtojë të kuqve në javët e para të kampionatit.





