Pas barazimit 1-1 në duelin e parë, Egnatia ka fituar përballë Petrocub, ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Champions League. Sfida e zhvilluar në Rrogozhinë, përfundoi 6-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Nevil Dede.
“Patëm pak fat me thënë të drejtën, e zhbllokuam ndeshjen shumë shpejt, shënuam dy gola me goditje standarte, ndoshta karma, se herën e kaluar iu falëm një gol në sekondat e para, ndërsa Zoti na e ktheu mbrapsht, por në përfundim e menaxhuam mirë, shpresoj mos të kemi lëndime. Vijmë nga një periudhë e vështirë, për 3 javë duhet të bëheshim gati për këtë përballje, gjithsesi në fund më kënaq rezultati dhe shënimi i golave për punën e të gjithëve.
Me bllokun e mesëm nuk është turp që Egnatia të luajë futboll, jo vetëm në Kupat e Europës, por edhe në kampionatin shqiptar. Po shohim skuadra të mëdha në futbollin botëror që luajnë në këtë mënyrë dhe nuk kanë turp të ruajnë distancat, të jenë kompakte dhe të kenë strukturën e duhur. Më pas, nëse ke cilësi, mund të nisesh nga çdo pozicion i fushës dhe ta godasësh kundërshtarin. Plus, me bllokun e mesëm duhet të jemi të përgatitur, sepse koeficienti i kundërshtarëve në Europë do të rritet gjithmonë e më shumë. Do të jetë më e vështirë dhe ne duhet të mësohemi të vuajmë, por edhe të bëjmë sa më pak gabime. Edhe në këtë ndeshje ka ende gjëra që mund t’i përmirësojmë.
Rotacioni që bëri Loukili me Jaimen na dha një mundësi tjetër për të dalë, siç ndërtua, golin e dytë. Jam i lumtur për djemtë dhe mënyrën se si ata e interpretuan ndeshjen. Në disa momente zbritëm poshtë Kryeziun, që të nxirrnim jashtë dy sulmues të tyre. Besoj që në momente të caktuara mirë, më pas ra disi ritmi, nuk e kemi on top të gjithë grupin, siç gjeta për të bërë finalet e “Final Four”-it, duhet të bëj një skuadër tjetër sepse janë shumë prurje, 8-9 lojtarë të rinj dhe këta janë titullar, në formacion”, u shpreh Dede.





