Pas pamjeve “horror” në një banesë në Rrogozhinë, ku një i moshuar është filmuar duke goditur pa mëshirë një mace, policia ka nisur hetim ndaj tij. Në një reagim zyrtar, blutë bëjnë me dije se 77-vjeçari R.B., do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Në video shihet momenti kur i moshuari dhunon me shkop macen, të cilën e kishte varur në litar. Skena makabre është filmuar nga banor aty afër, ku duket qartë dhuna që ai ushtron ndaj kafshës.
“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës- Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një shtetas duke keqtrajtuar një mace, ju informojmë se: Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë kryen verifikimet dhe në përfundim të tyre u bë identifikimi i autorit të rastit, shtetasit R. B., 77 vjeç, banues në Rrogozhinë. Për 77-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”, sipas parashikimeve të nenit 207/c të Kodit Penal. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës fton median dhe qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë, konform ligjit dhe me paanshmëri”, njofton policia.
Dëshmitarët janë shprehur se i moshuari, pasi e ka ngordhur macen të varur në litar, i moshuari e ka futur në një qese dhe e ka hedhur në mbeturina. Por po ashtu, shtojnë se kjo nuk është hera e parë që i moshuari kryen krime të tilla.