Albin Kurti viziton komunat në Veri i rrethuar nga truprojat, MESAZHI që dha

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një vizitë në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve të reja vendore në komunat veriore, të cilat do të mbahen më 21 Prill. Vizita e tij u shoqërua nën masa të rrepta sigurie, siç shihet dhe në foto, ku Kurti shihet i rrethuar nga truproja të shumtë. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se Serbia po tenton të destabilizojë vendin, por që nuk do ia dalë.

Albin Kurti: Jam këtu për të treguar se qeveria e Kosovës është një qeveri demokratike që është këtu jo si superstrukturë për popullatën, por si infrastrukturë për të drejtat dhe mirëqenien e tyre. Ne i shërbejmë të gjithëve dhe besojmë se duhet të bashkëpunojmë përmes ekonomisë, tregtisë dhe kulturës, por do të theksoja bujqësinë. Institucionet tona duhet t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe t’u mundësojnë qasje në sistemin institucional.

I ndalur tek tensionet e fundit që erdhën si pasojë e vendimit të Bankës Qëndrore të Kosovës për të hequr nga qarkullimi dinarin serb, Kurti tha se ai nuk mund të vendosë për vendimet e BQK dhe se pushtetet janë të ndara. Ai shtoi se ajo që Qeveria e tij mund të bëjë është që të ketë një tranzicion sa më të mirë dhe më të shpejtë.

Albin Kurti: Unë nuk jam kryeministër që vendos për Bankën Qendrore të Kosovës. Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK-së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore. Vetëm nëse ka ndonjë pasojë që askush nuk e do atëherë hajde të shohim se çka mund të bëjmë që të ketë një tranzicion sa më të mirë e sa më të shpejtë.

Zgjedhjet e 23 prillit të vitit të shkuar u kontenstuan nga serbët në Kosovë dhe Beogradi zyrtar. Partitë serbe nuk morën pjesë në garë, ndërsa zgjedhja e kryekomunarëve shqiptar në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç dhe Zubin Potok sollën reagime të ashpra të serbëve që jetojnë në komunat veriore dhe shpërthyen protestat. Madje gjatë përplasjeve mbetën të plagosur efektivë të policisë së Kosovës dhe ushtarë të KFOR. Fillimisht ndërkombëtarët i njohën zgjedhjet ndërsa më vonë, pas intensifikimit të protestave të dhunshme bënë thirrje për përsëritjen e tyre.

Lajme të tjera |  Rama nga Kavaja iu rikthye retorikës se “gjysma e burrave janë çyryk”!

Vendimi për dinarin

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet sërish.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us