Shqipëria mund të jetë “e përzgjedhur” nga Italia për të ndërtuar një central bërthamor. Ende nuk ka asgjë konkrete, por ideja duket se po vërtitet në qarkun e brendshëm të qeverisë përderisa ka përfunduar e publikuar në mediat italiane. Zë kësaj ideje i ka dhënë “Ansa“, duke iu referuar një projektligji për energjinë bërthamore që shumë shpejt do të vendoset në axhendën e Këshillit të Ministrave.
Kështu ka bërë të ditur në sallën e mbledhjeve ministri i Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto. Pasi ligji të kalojë në Kryesinë e Këshillit, brenda dy javësh duhet të shkojë në Këshillin e Ministrave. Nëse miratohet në Parlament, atëherë qeveria do të duhet të nxjerrë dekrete ekzekutive. Por për të gjithë këtë procedurë do të duhen të paktën 2 vjet.
Kthimi i energjisë bërthamore në Itali, i ndalur nga referendumi i vitit 1987, duket se do të marrë jetë. pichetto dëshiron të marrë meritën për kthimin e këtij burimi energjie në vend. Ai ka shpjeguar disa herë se kërkesa për energji elektrike do të dyfishohet në njëzet vitet e ardhshme, ndaj për të energjia bërthamore do t’i jepte vendit pavarësi energjetike dhe energji elektrike me kosto të ulët.
“Italia nuk synon për termocentrale të mëdha si ato që ekzistojnë jashtë vendit, por për reaktorë të vegjël modularë (motorë zhytës brenda tubave metalikë) dhe reaktorë të gjeneratës së katërt të ftohur me plumb, të cilët djegin mbetjet,”-thotë ministri.
Në këtë çështje, Pichetto ka mbështetjen e Forza Italia, Lega, Azione, Italia Viva, +Europa dhe Confindustria. Partia Demokratike është ende skeptike, ndaj edhe ka zgjedhur që të mos japë një përgjigje përfundimtare. Lëvizja Pesë Yjet dhe ‘të Gjelbërit’ janë kundër projektligjit dhe kanë pas tyre edhe shoqatat ambientaliste. Por edhe kjo nuk është pengesa më e madhe për Melonin. Problemi më i madh i saj është vetë “Fratelli d’Italia”. Partia është e ndarë midis nuklearistëve dhe anti-nuklearistëve.
Sa i përket qytetarëve, ideja e qeverisë për t’u rikthyer në energjinë bërthamore deri më tani nuk ka ngjallur kundërshtime të mëdha popullore. Por nuk mund të përjashtohet që, pasi ligji të jetë miratuar, mund të mbahet një referendum për shfuqizimin e tij.
“Nuk është për t’u habitur që faqja e energjisë Staffetta Quotidiana ka hedhur hipotezën se impiantet e reja mund të ndërtohen në Shqipëri dhe të lidhen me Italinë me një kabllo nëndetëse,”-shkruan Ansa.
Mesa duket për ta ka diçka më shumë në marrëveshjen që Rama dhe Meloni nënshkruan në Abu Dhabi, për të vendosur kabuj nënujorë që do të përcjellin rrymën nga vendi jonë drejt Italisë, një investim nënujor gati një miliard euro. Ndoshta projekti ka qenë më largpamës? Edhe pse në mediat italiane kanë nisur diskutimet, në Shqipëri asnjë përfaqësues i qeverisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ato që fliten në vendin fqinjë.