Në kulmin e fushatës dhe zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria ka hapur një tjetër skemë për të vjelë vota. Në datën 14 prill 2025 do të hapen aplikimet për skemat e mbështetjes në bujqësi dhe blegtori, ku bujqit apo firmat që merren me keca, dele, lopë apo që kanë mbjellë kastraveca, speca, domate, etj., do të mund të marrin një kompensim nga shteti.
Kjo është një nismë gjysmake e qeverisë, e cila ka vendosur kritere të dyshimta për t’a përfituar, teksa ajo që bie në sy është se këto para do të përdoren gjatë zgjedhjeve. Ashtu siç ndodh me pensionistët apo edhe në fusha të tjera, ku qeveria synon t’u marrë votën bujqve apo blegtorëve me kacidhe.
Në fakt, kjo skemë parashikon ndihma minimale për bujqit, teksa paratë e IPARD-it iu dhanë oligarkëve dhe politikanëve. Dhe, duke qenë se programi IPARD është bllokuar, qeveria shpërndaj para’ për disa kultura bujqësore apo kope me lopë, dele apo dhi.

Foto më sipër është njoftimi që ka bërë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, e famshmja për shpërdorim fondesh AZHBR, për çeljen e skemës së mbështetjes së vitit 2025.
“Skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2025. Hapja e aplikimeve do të bëhet më 14 prill 2025 dhe do të vazhdojë deri më datë 30 maj 2025” thuhet në njoftimin e AZHBR-së, e cila është bërë e njohur me abuzime të rënda me shpërndarjen e parave në bujqësi e blegtori, abuzime të cilat çuan në mbylljen e skemës së BE-së IPARD.
Mësohet se, koha në të cilën është hapur, përkon me fushatën dhe zgjedhjet, teksa menjëherë kanë filluar edhe shpërndarja nga deputetë dhe kryetar bashkish të kësaj skeme. Më shumë se para për bujqit, duket se skema do të jetë një mjet tjetër për “patronazhistët” apo edhe firmat që janë pranë qeverisë.

Por, përse në këtë kohë? Sipas hulumtimit që ka bërë VoxNews, qeveria ka marrë një vendim me numër 150 më datë 6 mars 2025 për “përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2025”.
Mësohet se fondi për bujqit është 44 milionë euro, teksa është rreth 8 milionë më pak se një vit më parë. Në vendim përcaktohet se fondi do të përdoret për mbështetjen e fermerëve nëpërmjet pagesave për uljen e kostos për naftën që përdoret, për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike, mbështetjen e formave të kooperimit në bujqësi.
Do të jepen para për gjedhët, tufat me dele, dhi dhe lopë. Do të jepen për grupe fermash, sera. Por edhe këtu ka shumë masa përjashtuese, pasi nëse do të kesh më pak se 100 dele ose dhi, nuk përfiton. Madje, nëse ke më shumë se 300 krerë, përfitkmi zvogëlohet në masën 50 %.
Duhet të kesh më shumë se 1 hektarë me perime, rrush apo luleshtrydhe që të përfitosh. Por, nëse ke më shumë se 5 hektarë, masa përgjysmohet! E njëjtë edhe për bimët aromatike, ku përfitojnë ata që kanë nga 1 deri në 10 hektarë. Më pak se 1 hektarë nuk përfiton dhe nëse ke më shumë se 10 hektarë përfiton gjysmën.
Kriteret e vendosura përjashtojnë shumë bujq të vegjël, teksa janë vendosur klauzola që vetëm ekspertët e AZHBR-së mund ti zhbirilojnë.
Po përse tani?! Nëse VKM-ja e mësipërme doli më 6 mars, ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave kanë nxjerrë udhëzimin më datë 28 mars, disa ditë para çeljes së fushatës. Një skemë e cila më shumë do të përdoret për propagandë, kryesisht në Qarkun e Fierit dhe Beratit. Fakti që VKM-ja është sigluar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku hedh shumë hije dyshimi se gjithçka është për fushatë dhe zgjedhje!