Banka e Shqipërisë synon të blejë deri në 330 milionë euro në tregun valutor në 2024

Banka e Shqipërisë do të rrisë përsëri blerjet e Euros në tregun valutor këtë vit. Kalendari i ndërhyrjeve parashikon që shuma e synuar për tu blerë nëpërmjet ankandeve për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milionë eurove dhe 330 milionë eurove.

Shuma e synuar i referohet vetëm blerjeve të planifikuara për qëllimet e administrimit të rezervës valutore, por, në raste të veçanta, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë duke blerë ose shitur valutë për të shmangur çrregullimet në treg.

Për vitin 2023, kalendari fillestar i ankandeve parashikonte blerje mes shumave të 160 milionë eurove dhe 220 milionë eurove. Por, si përgjigje ndaj zhvlerësimit të fortë të Euros gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë vendosi ta rrisë shumën e blerë në intervalin midis 220 dhe 300 milionë eurove.

Rritja e mëtejshme e blerjeve të synuara për vitin 2024 mund të jetë një sinjal i pritshmërive se presionet mbiçmuese mbi kursin e monedhës vendase do të vazhdojnë të jenë të forta. Pritet që të ardhurat nga turizmi të vazhdojnë të rriten, me rrjedhojë zgjerimin e mëtejshëm të ofertës valutore në tregun vendas.

Lajme të tjera |  Rama jashtë “kornizës” së kryeministrit: Pi më shumë se 10 kafe në ditë, nuk është se fle shumë gjumë

Kursi i këmbimit Euro-Lek në 2023 shfaqi një tendencë të theksuar rënëse, që kulmoi në korrik, kur Euro preku nivelin minimal historik prej 100.49 lekësh, ndërsa rënia vjetore e kursit arriti në 14%. Një rënie e ndjeshme u shënua edhe në periudhën mes muajve nëntor dhe dhejtor, kur kursi zbriti afër nivelit të 101 lekëve.

Megjithatë, javët e fundit të 2023 kursi shfaqi një korrektim në rritje, që besohet se i detyrohet shtimit të shpenzimeve publike dhe ofertës së monedhës vendase gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat kanë treguar se në afat të shkurtër blerjet e planifikuara të valutës nga Banka e Shqipërisë nuk kanë ndikime domethënëse në ecurinë e kursit të këmbimit. Megjithatë, duke pasur parasysh se shuma totale e blerë gjatë një viti është e konsiderueshme për përmasat e tregut valutor shqiptar, mund të vlerësohet se kjo sasi valute e tërhequr nga tregu ndikon disi ekuilibrat vjetorë të kursit të këmbimit.

Lajme të tjera |  “Reformën në drejtësi e solli PS”- Bamir Topi: Kjo është megalomani, vetëm një fuqi madhore mund ta bënte politikën shqiptare të votonte

Sipas informacionit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, deri në muajin korrik shuma e blerë në ankande arriti në 150.2 milionë eurove, ndërsa me objekt shmangien e çrregullimeve në tregun valutor u realizuan blerje të drejtpërdrejta për 5 milionë euro të tjera.

Sipas përllogaritjeve të Monitor, vlerësohet se, duke përfshirë edhe blerjet e realizuara gjatë periudhës gusht-dhjetor, shuma totale e valutës e tërhequr e tërhequr prej tregut nga Banka e Shqipërisë arrin në afërsisht 250 milionë euro.

Ndërkohë, për vitin 2024 Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 20 ankande të blerjes së valutës, që do të zhvillohen mes muajev shkurt dhe dhjetor.

Gjysma e ankandeve do të jenë në variantin spot (me blerje ditën e ankandit), ndërsa gjysma do të jenë të llojit forëard njëmujor (me blerje pas një muaji, sipas kursit të fiksuar në datën e ankandit).

Banka e Shqipërisë në tre vitet e fundit ka aplikuar ankandet e llojit forward, si një përpjekje për të nxitur përdorimin e këtyre marrëveshjeve edhe në transaksionet ndërbankare dhe mes subjekteve private./E.Shehu

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us