Ben Blushi ka treguar sot për udhëtimin e tij drejt Prishtinës, ndërsa tregon se rrugës, pasi ka kaluar Kukësin, e ka ndaluar policia dhe i ka vënë gjobë 30 mijë lekë të rinj.
Pasi i ka pyetur policët e Rrugores pse kaq shumë, përgjigja e tyre ka qenë se vënë shumë gjoba, madje para tij i kishin vënë edhe Baton Haxhiut.
Ndërsa vazhdon rrugën drejt kryeqytetit të Kosovës, Blushi tregon se edhe sapo ka kaluar Prizrenin e ka ndaluar Policia, por në vend të gjobës, i kanë kërkuar librin e tij “Komploti”.
Duke treguar këtë histori, ai tërthorazi tregon ndryshimin mes dy vendeve.
Postimi i Ben Blushit:
KU NDRYSHON SHQIPËRIA ME KOSOVËN
Sot shkova në Prishtinë. Kalova Kukësin. Më ndalon policia. Maste shpejtësinë. Me radar. Isha me 144 km në orë. Shpejtësia e lejuar ishte 60 km.
Më vunë gjobë. 300 mijë lekë. Të vjetra. Pse kaq shumë? Ne vëmë shumë gjoba. Sa shumë. I vumë dhe atij. Kujt? Baton Haxhiut. Sa i vutë? 40 mijë. Të vjetra. Pse kaq pak? Na erdhi keq. Mora fletën e gjobës. U futa në makinë. Filloi shiu. U nisa. Kalova Prizrenin.
Më ndalojnë prapë. Policia e Kosovës. Kishin radar. Isha me 129 km në orë. Lejohej 110. Polici afrohet. Hapa xhamin. Më kërkoi patentën. Ia dhashë. Shkoi te makina e tij.
Policja tjetër ishte bjonde. Verifikuan patentën time. U kthye te unë. Më tha. Më jep një libër. Dola nga makina.
Hapa bagazhin. Mora dy libra. Romanin “KOMPLOTI”. Nënshkrova dy autografe. Një për policin. Tjetrën për policen. Frynte erë. Rregullova flokët. U nisa.
Arrita në Prishtinë. Kisha 300 mijë lekë më pak. Asnjë libër.
Mbarova punë. U ula për drekë. Hëngra dy supa. Me perime. Ishin të nxehta. U ktheva. Nuk frynte më erë. Nuk binte shi. Nuk kishte polici. Eca shpejt. Asnjë gjobë.
Arrita në Tiranë. Qesha shumë.