Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama në një takim me grupin konservator të Parlamentit Europian në Strasburg, ku ka qenë i shoqëruar nga Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Albana Vokshi.
Berisha tha se Shqipëria sot është një narko shtet, i drejtuar nga Edi Rama, i cili – sipas tij- ka burgosur tre krerët e opozitës për të siguruar mandatin e katërt.
Berisha tha më tej se Shqipëria është në gjendje të mjerueshme, dhe se “narkoshteti” është tashmë një rrezik jo vetëm për shtetet fqinje, por për të gjithë kontinentin.
Berisha denoncoi më pas edhe mbylljen e rrjetit social TikTok, duke thënë se këtë Rama e bëri për të mbyllur zërat kritikë ndaj tij.
“Edi Rama burgosi tre krerët e opozitës për të marrë mandatin e katërt. Më burgosi mua , burgosi dhëndërin tim i cili mori 500 metra tokë nga gjyshërit e tij me dokumenta. Burgosi Ilir Metën si person nën investigim. Burgosi Fatmir Mediun. Edi Rama për vete ka marrë 200 mijë metra katror tokë buzë detit. Ai kanalizoi Shqipërinë, Shqipëria është sot një narko shtet.
Ai takoi në Kryeministri kreun shqiptar të kartelit Sinaloa. Mijëra mijëra shqiptarë po ikin nga vendi. Europa s’ka parë kurrë një narko-diktator dhe e ka të vështirë të kuptojë se çfarë po ndodh. Ndaj jam unë këtu, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të luftojmë, luftojmë. Narkoshteti është një rrezik jo vetëm për fqinjët, por për gjithë kontinentin”, u shpreh Berisha.