Lideri i opozitës, Sali Berisha prezantoi kandidatët në Kamzë këtë të premte. Nga podiumi, me kapelen me numrin 1 me vete, ai dha fjalën se të gjitha problemet e këtij qyteti do të marrin fund.
Theksoi se forca që ka qeverisur vendin për 12 vite detyroi të largoheshin jashtë vendit 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Nisur nga këto veprime që sipas tij janë çnjerëzore e poshtëruese për popullsinë, u zotua që në 100 ditët e para të qeverisjes së demokratëve nuk do të ketë pensionist në vend që nuk do marrë 200 Euro.
“Dhe më lejoni pak t’i them atij burracakut 2 metra që fshihet dhe nuk del dot, pasi e keni kapur me presh në dorë duke vjedhur, nuk del dot të ballafaqohet para jush në televizion apo në skenë. Jo. Çfarë thotë? Thotë se po ta rrisim pensionin 200 euro, biem në humnerë. Kurse dje deklaronte se do ta bëjmë në vitin 2030. Ka deklaratë më të papërgjegjshme, më cinike?”, tha Berisha.
Më tej, kujtoi fushatën e vitit 2005, duke veçuar premtimin më të vështirë të jetës së tij politike.
“Ju lutem vetëm një moment. Në vitin 2005 ne premtuam dyfishimin e rrogave dhe u them një gjë, ai ka qenë premtimi më i vështirë i jetës sime sepse nuk di një administratë tjetër që të ketë premtuar dyfishim rrogash në atë kohë, por e mbajtëm. I them cilido shqiptar, gjej një mësues, një infermiere, një mjek, një punonjës që të thotë se rroga e tij nuk u mbidyfishua gjatë viteve 2006-2013. Pa përjashtim të gjithë. Deklaruam se do dyfishojmë pensionet e ulëta. Pensioni ishte 36 euro, çdo pension i ulët u bë 83 euro”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për varfërimin e vendit, rritjen e çmimeve dhe shpopullimin masiv, duke deklaruar se nga viti 2014 deri në 2023 janë larguar mbi 1 milion shqiptarë.
“Nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë banorë të Kamzës dhe gjithë Shqipërisë. Miqtë e mi, këta që morën rrugët e dheut nuk i morën ato se lakmonin pasuri. Nuk i morën ato se nuk kishin mall dhe dashuri për familjen. Nuk i morën ato se nuk donin vendin e tyre. Por rrugët i morën se nuk jetonin dot në Kamzë, nuk jetonin dot në Tiranë, nuk jetonin dot në Shqipëri sepse ky regjim, Shqipërinë, Kamzën që rritej në popullatë nga viti në vit, e bëri Shqipërinë dhe Kamzën që nuk jetohej më. E bëri sofrën e familjeve shqiptare të mos pranonte as fëmijët e vet, por t’u thoshte paçi fatin, merrni rrugët e botës. Nuk ikën shqiptarët se donin të iknin, por ikën se ilaçet nuk i blinin dot në vendin e tyre, por ikën se kreditë nuk i paguanin dot në vendin e tyre, por ikën se shtëpitë nuk i blinin dot në vendin e tyre”, tha Berisha.