Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, vazhdon turneun e tij diplomatik në Lindjen e Mesme. Këtë të dielë ai është ndalur në Jordani , duke kërkuar të sigurojë që konflikti midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës të mos përhapet dhe të shmanget “një cikël i pafund dhune”.
Blinken, do të zhvillojë bisedime me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe do të vizitojë një qendër të Programit Botëror të Ushqimit (WFP), tha një zyrtar i lartë amerikan. Në deklaratën e tij të shkurtër mbrëmë nga aeroporti Chania në Kretë pas takimit të tij me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis , Blinken theksoi se “ne duhet të sigurohemi që konflikti të mos përhapet”.
“Një nga shqetësimet reale është kufiri midis Izraelit dhe Libanit dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të mos ketë përshkallëzim”, shtoi ai.
Lëvizja shiite e Libanit Hezbollah lëshoi dhjetëra raketa në veri të Izraelit dje, një sulm që e përshkroi si një “përgjigje të parë” ndaj vdekjes së komandantit të dytë të Hamasit, Saleh al-Aruri.
“Ne duam të sigurohemi që vendet me të njëjtin mendim të përdorin lidhjet e tyre, ndikimin e tyre, marrëdhëniet e tyre me disa nga aktorët e përfshirë për të mbajtur gjërat nën kontroll, për t’u siguruar që konflikti të mos përshkallëzohet”, vuri në dukje ai.
Madje ai iu referua rolit “jetik” që mund të luajë Turqia në këtë drejtim, pas takimit dje në Stamboll me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
Blinken, vendi i të cilit është aleati kryesor politik dhe ushtarak i Izraelit, këmbëngul se është “imperative” të rritet ndihma humanitare për palestinezët në Gaza, “të reduktohen viktimat civile, të punohet drejt një paqeje të qëndrueshme rajonale dhe të shkohet drejt krijimit të një shteti palestinez”.