Bajer Leverkusen do të pësojë ndryshime gjatë verës, pasi skuadra e drejtuar nga Çabi Alonso do të ketë disa elementë të rëndësishëm që do të largohen. Një prej tyre është Xhonatan Tah dhe klubi gjerman ka nisur kërkimin për zëvendësuesin e tij, duke piketuar një futbollist shqiptar.
Albian Hajdari, mbrojtësi 21-vjeçar shqiptar i cili është pjesë e klubit të Luganos në Zvicër, është futbollisti të cilin Çabi Alonso po e monitoron me vëmendje. Sipas “Sky Sports”, lojtari përmbush kriteret e vendosura nga klubi si sa i përket aftësive dhe potencialit të tij, ashtu edhe një kostoje të ulët të kartonit.
Aktualisht ai ka një klauzolë largimi prej rreth 5 milionë eurosh, gjë që e bën më të lehtë një transferim në një klub si Leverkusen që e përballon lehtësisht një shpenzim të tillë.
Hajdari ka përfaqësuar Zvicrën me ekipet e moshave gjatë karrierës së tij, ndërsa në ndeshjet e muajit mars, u ftua nga Hakan Jakin me ekipin A, duke debutuar në miqësoren ndaj Luksemburgut.