Në librin “Fillimet” të botuar nga UET PRESS, Preç Zogaj dëshmon dhe momentin kur Edi Rama u kthye në Shqipëri. Në dhjetor 1990, ndërsa në Tiranë po niste rebelimi studentor, Edi Rama ndodhej në Greqi, i tërhequr pa dashje larg ngjarjeve për të cilat kishte përgatitur prej javësh përballjen e tij politike me Ramiz Alinë. Kur u kthye dhe zbuloi çfarë kishte ndodhur gjatë mungesës, ai e përjetoi si një goditje personale, pasi drejtuesit e Partisë Demokratike tashmë ishin zgjedhur dhe roli që kishte ëndërruar ishte marrë nga të tjerë. Në mbledhjen e PD-së më 13 dhjetor, Rama ndjeu se disa prej nismëtarëve nuk e donin nëpër këmbë, ndërsa tensioni me Gramoz Pashkon nxori në pah rivalitetin për pozicionin e “disidentit” brenda partisë. I zhgënjyer, ai akuzoi PD-në se po sillte vetëm opozitarizëm të zbutur ndaj Partisë së Punës dhe u largua me bindjen se oportunizmi kishte zëvendësuar radikalizmin e pritur. Më vonë, pa gjetur dot një hapësirë politike në atë frymë, Rama do t’i bashkohej Partisë Socialiste, duke u bërë edhe kryetari i saj.
Në fillim të muajit dhjetor 1990 besohej se kushtrimi i rebelimit rinor antikomunist do të vinte nga Artet; pishtari i demokracisë do të ndizej së pari atje dhe në fakt kjo profeci nuk ishte e gabuar pasi pikërisht në 8 dhjetor pasdite, disa orë përpara se në qytetin “Studenti” të niste marshimi i parë i protestës studentore në historinë e Shqipërisë, në sallën e Arteve qirinjtë e ndezur në 10 vjetorin e vrasjes se këngëtarit të grupit të famshëm “Beatles”, Xhon Lenon, homazhet, përshpirtjet dhe këngët në kujtim të tij kishin kaluar si preludi i stuhisë që po ngrihej dhe marshimit që po nisej në krahun tjetër të qytetit, edhe pse dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra tjetrën.
Edi Rama nuk ishte në Tiranë atë mbrëmje. Ishte nisur në Greqi me të jatin, mu sikur fati të kishte dashur t’i punonte një rreng, apo mu sikur familja të kishte nuhatur apo ditur diçka, duke e dërguar e mbajtur djalin plangprishës larg teatrit të ngjarjeve, të verbër dhe të shurdhuar ndaj përmbysjes që po niste në Tiranë.
Kur u njoftua dy – tre ditë më vonë nga Blendi Gonxhe, Edi Rama, siç ka dëshmuar vetë më vonë, qe bërë helm prej hilesë së destinit. Kishte javë që po përgatiste përballjen e tij dhe të studentëve të tij me Ramiz Alinë. “E kisha menduar si një duel politik për jetë a vdekje atë takim”, më rrefeu mua më vonë. Mendonte, me sa dukej, se vendi nuk kishte forca të tjera përveç tij dhe mbështetësve të tij për të prodhuar një ballafaqim politik të fortë me rregjimin si ai që kishte konceptuar. Besonte se ishte ai antagonisti i arenës dhe askush tjetër, prandaj edhe nuk kishte dyshuar mos po humbte ndonjë gjë dhe e kishte lenë vetën ta merrte rrjedha kur babai i tij e kishte ftuar të vizitonin një kushëririn e tyre në një qytet të vogël të Greqisë. Edhe atje e kishte ndjekur shajnia e përballjes, edhe atje kishte bërë ndërhyrje dhe rregullime të tjera në planin e tij të duelit me Alinë. Ndoshta pikërisht në orën e ballafaqimit të vërtetë të Ramiz Alisë me përfaqësinë studentore, mbrëmjen e 11 dhjetorit, ai, Edi Rama kishte qenë duke u ndeshur virtualisht me Presidentin e Shqipërisë në ndonjë ballkon shtëpie të Greqisë. Fati nuk ishte mjaftuar ta dërgonte larg teatrit të ngjarjeve, por edhe e kishte përqeshur. Kur e mori vesh ç’kishte ndodhur gjatë mungesës së tij, i ishte dashur të bënte një betejë të fortë mendore për të prapsuar zulmën e flaterive që e kishin sulmuar, sikur Alia me flotën e tij e kishin larguar me kast larg Shqipërisë për të prodhuar në kulisa atë që Rama kishte planifikuar të prodhonte në arenë. Me të mbërritur në Tiranë mbrëmjen e 13 dhjetorit, e mbajti hapin e tij të gjatë dhe frymëmarrjen e tij të rëndë pikërisht në katin e dytë të kinoklubit “Studenti” ku ishin mbledhur drejtuesit e rinj të partisë së re. Kishte një padurim t’i shihte me sy kush ishin ata…Kush ishin ata që kishin marrë rolin që ai kishte ëndërruar! Ngjarjet e kishin kaluar, kjo ishte e qartë. Por nuk mund ta kishin përjashtuar. Mjaft prej drejtuesve të partisë se re ishin të njohurit e tij. Gramozi ose Moj, Arben Imami ose Beni, Gonxhja po se po, Preç Zogaj, poeti i grupit të trekëndëshit “Zëri i Rinisë- Lidhja e Shkrimtarëve- Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, grup me të cilin miqtë e tij nga bota e letrave ishin në një armiqësi të ftohtë, por ç’rëndësi kishte sa kohë që talenti nuk u mungonte gegëve dhe toskëve të asaj bande! Kishte edhe të tjerë të njohur, me të cilët mund të shtërngonte pa vështirësi një solidaritet miqsh. Ata që nuk i njihte, e njihnin. Por prapseprapë nuk ndihej mirë. Indiferenca e disave e bezdiste me shumë se lutjet dhe ftesat e disa të tjerëve për t’u ulur, për t’u njohur me zhvillimet, për t’u bashkuar me nismëtarët. Arben Demeti, i heshturi që nuk lejonte t’i shpëtonte rasti më i vogël, u entuziazmua nga prania e tij, e ftoj të ulej në krye të vendit, përkrah më të shquarve aty, duke e përfshirë në grupin e punës për organizimin e parties, gjë që ka mbetur e shkruar në procesverbalion që mbante studentja Ilenja Mëhilli. Edi Rama me gjasë u ul një grimë herë aty ku I tha Demeti dhe ku e ftuan edhe të tjerrët. Por Edi Ramën nuk e ngrohte që nuk e ngrohte vëmendja dhe dashamirësia e miqve dhe të njohurve të tij nismëtarë. Katërditëshi i mallkuar i mungesës sikur kishte hapur një humnerë mes tij dhe atyre. Ishte shumë pretencioz dhe hiçfare diplomat për të pranuar pasojën e lojës së rrethanave. Historia s’duket asgjë kur e kemi përpara dhe na bën asgjë kur na lë prapa.
Edi Rama futi këmbën në PD një grimë herë për të parë, për të dëgjuar. Fytyra i tradhtonte pamjen dhe nervin e një të bastisuri, sikur ata njerëz atje i kishin marrë diçka që ai e kishte lënë në ruajtje, që i përkiste, apo për ta thënë më butë, i bashkpërkiste. Ç’është ajo kam dëgjuar që nuk i keni rënë ballit Ramiz Alisë! Jo vetëm nuk i keni rënë ballit, por e keni ngritur në qiell! E kujt është kjo parti që ngre në qiell sekretarin e parë të Partisë së Punës? Nuk mund ta them a u thanë atë natë, me 13 dhjetor apo më më vonë këto fjalë apo të tjera të përafërta nga Edi Rama.
Po diskutonim për të dalë me një komunikatë shtypi në të cilën donim të shprehnim distancimin e partisë së porsathemeluar nga aktet e thyerjes dhe bastisjes së dyqanëve në Shkodër prej një grupi përsonash. Gjithë të pranishmit ishin në një mendje se vjedhjet dhe plaçkitjet nuk kishin lidhje me protestat kundër rregjimit. Në të kundëten plaçkitjet vertëtonin parashikimet publike të kasandrave në pushtet sikur pluralizmi do të sillte shkatërrrime, konfontime dhe deri luftë civile në vend. Për një rastësi kuptimlote një deklaratë të ngjashme e kishin bërë po atë mbrëmje shoqata e porsaformuar e ish të burgosurve politikë në Shkodër. Komunikatën e shkruam me Arben Imamin dhe u nisem ta dërgonim në RTSH. Anëtarët e komisionit ishin ngritur në këmbë. Kur po dilnim me Imanin afër derës Edi Rama me Gramoz Pashkon po ndërronin fjalë. Ishin të tendosur që të dy. Diçka nuk po shkonte mirë mes tyre. Kur u kthyem nga RTSH, mora vesh se në të ikur, pasi ishin zënë me Gramozin, Rama kishte lëshuar thagmën se Partia Demokratike nuk qenkësh parti opozitare, por thjesht një parti oponente e Partisë së Punës. Mund të kishte paksa të drejtë në rrafshin e terminologjisë së matur që po përdornim ato ditë, por nuk kishte të drejtë në substancë. Partia Demokratike nuk ishin disa pak fjali të kujdesshme, që oratorët demokratë i përdornin për të nderuar kalimin pa gjakderdhje të vendit në sistemin shumëpartiak. PD ishin bazat e programit të saj, në të cilin kishin gjetur shprehje parimet themelore të shoqërisë së hapur liberale dhe një qasje e re ndaj çështjes kombëtare. Edhe retorika ka kohën e saj. Ashpërsia e saj është funksionale kur përligjet me natyrën e pengesës që duhet të mposhtë. Por edhe duhet të zbutet kur pengesa zbutet apo bie. Përndryshe ajo bëhet disfunskionale, e kërkuar, e dëmshme.
Besoj se kur erdhi dhe iku duke shfryrë nga PD, Edi Rama ishte jo vetëm në inercinë e duelit të ëndërruar me Ramiz Alinë, por perceptoi, pagabueshëm më thotë mendja, se disa nga zotërinjtë ambiciozë të Komisionit Nismëtar nuk e donin nëpër këmbë. Ndiheshin më mirë pa karizmën, mendjemadhësinë, ironinë dhe madje edhe pa shtatlartësinë e tij prej basketbollisti.
Duke ndjerë në fjalët e Gramozit, i cili jo pa dinakëri ishte shtyrë nga të tjerët “të sqarohej” pikërisht ai me Edin, se nuk kishte vend të mjaftueshëm për dy disidentë nga periferia e bllokut në kreun e partisë së parë antikomuniste të vendit, Edi Rama kishte kthyer majat nga thembrat me pamjen e dikujt që nuk po e dëbojnë, por po largohet në shenjë mospajtimi me oportunizmin ramizist të themeluesve të Partisë Demokratike. Pas kësaj, në përputhje me këtë mëtim dhe duke dashur t’i jepte koherencë aktit të tij, Rama do të fliste si një antikomunist radikal, por pa krijuar dot një korent apo grupim politik të kësaj fryme. Si për të provuar tezën se pinjollët rebelë të familjeve të regjimit nuk e kishin me partinë, madje as me komunizmin që i kishte privilegjuar, por me pushtetin, me luftën e kastave brenda llojit dhe se radikalizmi i tyre ishte parasëgjithash shprehje e një proselitizmi politik, Edi Rama do të merrte trembëdhjetë vjet më vonë teserën e Partisë Socialiste ish komuniste dhe do të zgjidhej kryetar i saj





