Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë, ku u plagos me thikë 52-vjeçari shqiptar Andrea (Adriatik) Kalemi nga Tepelena, brenda burgut të Koridhalos në Greqi.
Autoritetet greke kanë dyshime se autori 28-vjeçar egjiptian është paguar nga persona të tjerë për të kryer krimin. Kjo pasi atij iu gjet në dorë një thikë artizanale dhe një telefon.
Sipas medieve greke egjiptiani kishte në telefon foton e Andrea Kalemit, për të cilin dyshohet se ishte paguar që ta vriste. Sapo ka parë foton e shqiptarit, ai ka qëlluar disa herë me thikë, duke e lënë të plagosur.
Telefoni egjiptianit u gjet i thyer dhe nuk dihet nëse e ka thyer vetë apo nga përleshja me të burgosurit e tjerë. Andrea (Adriatik) Kalemi do të fitonte pas disa ditësh lirinë. Autori egjiptian ishte transferuar nga burgu i Domokos në burgun e Koridhalo.
Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë.
Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28-vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë.
Kalemi i shpëtoi një atentati me armë zjarri në gusht të këtij viti, ku u qëllua me 10 plumba në ishullin Paxos të Greqisë. Ai dyshohet se është i përfshirë në sagën e krimeve pas vrasjes së biznesmenit Edmond Papa. Kalemi ishte kushëriri i Akelsandër Sadikut që dyshohet se u vra nga Papa apo njerëz të tij, në një atentat me eksploziv në Tiranë në vitin 2020.