Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, por nuk ka shkuar mirë për socialistët e pranishëm. Pjesë e takimit të të hënës, që është kthyer tashmë në një ritual, ishte edhe kryeministri Edi Rama, por ky i fundit ka pasur mjaft kritika ndaj deputetëve. E gjitha ka nisur pasi në momentin kur kryesocialisti ka hyrë në sallën ku do të vazhdonin takimin, brenda ka gjetur shumë pak deputetë të pranishëm, ndërsa të tjerët kanë qenë me vonesë.
I gjendur përballë kësaj situate, Rama nuk i ka kursyer kritikat, e në fund i ka kërkuar që të zbatojnë orarin.
“Ju duhet të kishit 1 orë përpara këtu,”-mësohet se u ka thënë Rama deputetëve; ndërkohë që duke gjykuar për mungesë angazhimi jo vetëm në seanca plenare por edhe në Komisionet Parlamentare.
Si shenjë të pakënaqësisë së tij, Rama i ka “kërcënuar” me votime: A doni t’ju çoj në zgjedhje te parakohshme?
Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste mbahet në lidhje me seancën e ardhshme parlamentare ku pritet të miratohen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Mazhoranca ka kërkuar ndryshimin e rregullores së Kuvendit lidhur me sjelljen e disa deputetëve të opozitës. Në kërkesën e vet, mazhoranca kërkon ashpërsim të masave disiplinore dhe përjashtimin e deputetëve deri në 60 ditë nga seancat. Po ashtu, në seancën e ardhshme më 14 dhjetor, pritet që të miratohet marrëveshja me emigrantët për Italinë. Marrëveshja pritet të kalojë në Kuvend, edhe pse opozita e ka dërguar për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese