Endri Shabani, kreu i Nismës Thurje kërkon zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Duke cituar ligjin, ai thotë se kryebashkiaku socialist që ndodhet prej 4 muajsh prapa hekurave duhet të ishte shkarkuar dhe data për zgjedhjet e reja duhet të ishte shpallur.
“Erion Veliaj duhet shkarkuar! Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur sërish sot që Erion Veliajn do të qëndrojë në burg. U bë më shumë se 4 muaj që ai e ka marrë karriken e kryetarit me vete. Deri kur do tolerojmë që kryeqyteti i Shqipërisë, dhe mbi 1 milion banorë të qeverisen nga burgu?
Ligji i pushtetit vendor, neni 62, na detyron të veprojmë. Tirana nuk është pronë private as e Veliajt dhe as e PS-së. Tirana nuk mund të qeveriset nga burgu, dhe qytetarët nuk mund të trajtohen si spektatorë në një teatër absurd”,shkruan Endri Shabani, kreu i Nismës Thurje.