Eurodeputeti Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për Breaking në TopNews me gazetarin Xhoi Malësia, ku ka folur për drejtësinë shqiptare, marrëdhëniet me Greqinë, gjyqin në Strasburg dhe miqësinë e Ramës me presidentin turk, Erdogan.
Beleri tregoi se si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vuri sërish në diskutim vendimin e gjykatave shqiptare për dënimin e tij, i cili kaloi nëntë muaj e njëzet e dy ditë në paraburgim, dhe u lirua me kusht në 2 shtator të vitit 2024.
Fredi Beleri akuzohej për veprën penalekorrupsion aktiv në zgjedhje.
“Strasburgu pranoi parimisht se arresmimi im kishte parregullsi. Drejtësia në Shqipëri nuk funksionon ose është me regji. Unë do ti shkoj deri në fund kësaj beteje, nuk do bëj marrëveshje me qeverinë shqiptare”, tha Beleri në Breaking.
Eurodeputeti u ndal te pronat e Himarës dhe patriotizmin që përflitet në media. Sipas tij nuk është koha e patriotizmit por e demokracisë dhe zbatimit të ligjit.
Beleri: Qeveria Shqiptare po vidhte pronat, në Bashkinë e Himarës nuk ka drita dhe ujë. Nëse nesër bëhet një luftë greko-shqiptarë larg qoftë, do të shohim secilin se cilin mbron dhe kë? Në demokraci ne e shohim se si maten qytetarët duke paguar taksat dhe respektuar ligjet. Prandaj nuk është kohë lufte që të flasim për patriotizme, nuk kam bërë fushatë për helenizimin.
Beleri foli dhe për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, ai u shpreh se Rama prishi marrëveshjen Bushati-Kotzias për shkak të Erdoganit.
“Rama e prishi marrëveshjen Bushati-Kotzias. Këtë e ka thënë vetë zoti Ditmir Bushati se ishim shumë afër marrëveshjes në intervista me gazetat greke. Ai ka zgjedhur të ketë baba politik, Erdoganin një diktatator që ka burgosur gjysmën e opozitës në Turqi” u shpreh Beleri.
Kujtojmë se Eurodeputeti, Fredi Beleri është ankuar në Gjykatën e Strasburgut se paraburgimi i tij fillestar nuk ishte i bazuar në arsye përkatëse dhe të mjaftueshme dhe se autoritetet nuk morën parasysh masa alternative përpara se të urdhëronin ndalimin e tij në burg./VoxNews