Fundjava e parë e qershorit sjell fluks të pushuesve nga Tirana dhe Elbasani në plazhet e Durrësit dhe Kavajës!

Fundjava e parë e nxehtë e qershorit ka nxitur një numër të madh qytetarësh nga Tirana dhe Elbasani të drejtohen drejt plazheve të bregdetit perëndimor, konkretisht në zonat e Kavajës dhe Durrësit.

Dyndja masive ka sjellë një shtim të jashtëzakonshëm të qarkullimit të automjeteve duke e vënë në provë infrastrukturën rrugore dhe kapacitetet e menaxhimit të trafikut.

Situata e qarkullimit është përkeqësuar ndjeshëm në orët e vona të pasdites të së dielës kur qytetarët kanë nisur kthimin nga plazhi në bregdetin e një pjese të zonës  së Durrësit e Kavajës për në drejtim të Elbasanit dhe Tiranës.

Segmentet rrugore kryesore janë përballur me një fluks të madh automjetesh që ka bërë që qarkullimi të ngadalësohet ndjeshëm, ndërsa në disa pika ka qenë gati i paralizuar për periudha të shkurtra kohe.

Zona më problematike është evidentuar në segmentin Papërr i Elbasanit – Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Tuneli i Krrabës ku dyndja  e automjeteve ka krijuar radhë të gjata dhe vonesa të mëdha për drejtuesit e mjeteve.

Lajme të tjera |  Erdhi në Shqipëri për t’i shpëtuar luftës, ukrainasja: Çdo 5 minuta dëgjoheshin raketa... Tani jam pak tironse!

Ky segment përfaqëson një nyje strategjike për lidhjen mes juglindjes dhe kryeqytetit, ndaj edhe ndjeshmëria ndaj flukseve të shtuara është e lartë.

Në përgjigje të situatës, policia rrugore ka vendosur forca të shtuara në terren për të monitoruar, drejtuar dhe disiplinuar qarkullimin.

Megjithatë, për shkak të volumit jashtëzakonisht të madh të automjeteve, ndërhyrjet e saj kanë qenë të kufizuara në efektin afatshkurtër.

Autoritetet si gjithmonë në situata të tilla kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ana e drejtuesve të automjeteve, si dhe për ndjekjen e udhëzimeve të policisë rrugore në kohë reale, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe shmangien e bllokimeve të mëtejshme.

Ky fenomen, i përsëritur çdo sezon veror, nxjerr në pah domosdoshmërinë për zgjidhje afatgjata infrastrukturore dhe përmirësime në menaxhimin e trafikut gjatë periudhave me fluks të lartë lëvizjesh, ndërkohë që vetëm vitin tjetër me ndërtimin e autostradës Lekaj e Kavajës -Elbasan, mund të zbuten ndjeshëm problematikat trashëguara të qarkullimit në këtë rajon.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us