Gjykata e Lartë e la në qeli, reagon Erion Veliaj: Do të ndjek rrugët ligjore, dua t’i shërbej Tiranës!

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, avokatët e tij ndërkombëtarë kanë reaguar, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të një procesi të rregullt ligjor.

Në deklaratën e tyre, firmat Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya paralajmërojnë ndjekje të mëtejshme në instancat ndërkombëtare, duke argumentuar se mbajtja në burg e kryebashkiakut pa një proces të rregullt dhe pa shqyrtuar masat alternative është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Deklarata:

DEKLARATË E AVOKATËVE NDËRKOMBËTARË TË KRYETARIT TË BASHKISË SË TIRANËS, ERION VELIAJ, LIDHUR ME VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË

9 Korrik 2025, Tiranë: Dje, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë vendosi që Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të qëndrojë në masën arrest me burg në IEVP Durrës, Shqipëri. Dëgjesa me dyer të mbyllura u mbajt në 8 Korrik 2025, në orën 12:00, pas shqyrtimit të dokumentave. Kryebashkiaku Veliaj hedh poshtë me vendosmëri çdo pretendim.

Lajme të tjera |  Sali Berisha paralajmëron PROTESTA në shtator!

Pas rreth 5 muajsh qëndrimi në paraburgim dhe një hetimi thuajse dy vjeçar nga Prokuroria e Posaçme e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”), Kryebashkiakut Veliaj i mohohet ende aksesi me avokatët e tij ndërkombëtarë. Mbajtja në paraburgim e Z. Veliaj ka sjellë shumë shqetësime për familjen dhe miqtë e tij.

Burgosja pa akuzë e Z. Veliaj është miratuar më herët nga gjykatat pa kryer një vlerësim kuptimplotë nëse arrestimi i tij është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa vlerësimin e duhur të masave alternative ndaluese.

Daniel Fetterman, një ish prokuror federal në Shtetet e Bashkuara dhe partner i Kasowitz LLP, një nga firmat ndërkombëtare e cila së fundmi ka publikuar edhe një raport të përbashkët hetimor lidhur me burgosjen e paligjshme të Kryebashkiakut Veliaj, tha:

“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha: “Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes.

Lajme të tjera |  Dash Sula: Salianjit i kërkuan të ngujohej në seli, por u hidhëruan që u lirua dhe asnjë s’doli ta priste

Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime. Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten.

Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që t’i shërbej përsëri Tiranës”.

Ben Brandon, Partner, Mishcon de Reya shtoi:

“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”

Raporti i plotë për arrestimin e padrejtë të Kryebashkiakut Veliaj mund të gjendet këtu. Kasoëitz dhe Mishcon de Reya do të vazhdojnë të ndjekin fuqishëm të gjitha mjetet e mundshme ligjore ndërkombëtare në emër të Kryebashkiakut Veliaj.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us