“Gjysma e burrave janë çyrykë”, Rama batuta me gratë e Dibrës: Falë jush më 12 Maj do gdhihet rozë

Kryesocialisti Edi Rama e vijoi fushatën elektorale këtë të enjte në Dibër ku u takua me gratë dhe vajzat e këtij qarku. Nga Pallati i Sportit tha se iu kujtua takimi i parë me strukturat e PS-së në Dibër.

“Dua t’ju them këtë që sot kur sapo hyra më është kujtuar takimi i parë në PS-në e Dibrës. Takimi i parë në Partinë Socialiste të Dibrës, të gjithë burra, të mbyllur në një si strofull atje, njëri hidh, tjetri prit, njëri kap, tjetri hidh poshtë. Nuk merrsha vesh as çfarë thoshin, as me kë e kishin, as ku dojshin me dalë, por kuptoja vetëm një gjë, që më budallai aty isha unë”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se fakti që “komanda” u ka shkuar grave të Dibrës, është arsyeja pse beson se socialistët mund të fitojnë 4 me 1 më 11 Maj.

Lajme të tjera |  Rama tallet me Berishën: Imagjinoni të vejë bufi të negociojë me BE, të thotë ‘do të ngrejmë tavanin’

“4 apo 3 në datën 11 Maj falë jush grave dhe vajzave të Dibrës në radhë të parë, Dibra do votojë aty ku duhet dhe në 12 Maj do gdhihet rozë”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama u shpreh krenar se partia e tij ka themelin më të fortë mbështetjen nga gratë dhe vajzat në të gjithë Shqipërinë. Për fitoren në 11 Maj tha se u duhen vetëm ato, vota e të rinjve dhe gjysma e burrave sepse jeta i ka treguar se “gjysma tjetër janë çyrykë”.

“Dibra është grua, Shqipëria është grua edhe Europa është grua. Dhe mua personalisht nuk ka asgjë që më bën më shumë krenar si kryetar i PS se sa fakti që kjo forcë mbështetjen më të madhe dhe themelin e vet më të fortë ka gratë dhe vajzat në të gjithë Shqipërinë. PS-në e mbështesin 56% e grave dhe e vajzave. Ka disa qarqe ku shkon në 65%. Dibra është diku te 60%. Llogaria është shumë e thjeshtë. Nëse kemi 60% të grave dhe vajzave, nëse kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave nuk na duhen më shumë, se kjo jetë në këtë vend më ka mësuar, gjysma e burrave janë normalë në këtë vend, gjysma janë çyrykë. Të treja këto forca do të bëjnë që më 11 Maj në të gjithë Shqipërinë të kemi fitoren më të bukur të të gjitha fitoreve tona”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us