– Një 26-vjeçar nga Hasi është zhdukur në malin e Pashtrikut. Ajet Lleshi humbi kontaktet me familjen pasi kishte dalë për të mbledhur dru. I riu ka kaluar natën në mal, ku rreth mesnatës ka telefonuar për ndihmë, por familjarët për shkak të terrenit dhe kohës së keqe nuk kanë arritur ta pikasin. Sot në kërkim të tij janë mergjencat Civile dhe banorë të fshatit, ndërsa ndihmë po ofrohet edhe nga ajri.
NJOFTIMI I POLICISË:
Has
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, mbrëmjen e djeshme, janë njoftuar nga familjarë të shtetasit A. Ll., 27 vjeç, banues në fshatin Kishaj, se rreth orës 17:00 kishin humbur kontaktet me 27-vjeçarin, i cili ishte larguar nga banesa në mëngjes, për të prerë dru, në pyll. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet në zonë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe banorë të fshatit, për gjetjen e shtetasit A. Ll., por ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit A. Ll. Për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e këtij shtetasi, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.