Kreu i kishës katolike shqiptare Imzot Arjan Dodaj në një mesazh ngushëllimi për humbjen e Papa Françeskut u shpreh se Papa ka qenë një zë i cili përcillte një forcë ngushëllimi hyjnor.
Imzot Dodaj ndër të tjera ka theksuar se se duhet t’i jemi falënderues zotit për Papa Françeskun pasi ai ka qenë Papa i afrimitetit dhe paqes.
Dodaj theksoi se Papa e donte shumë vendin tonë teksa zbulon edhe dëshirën e tij për t’u rikthyer në Shqipëri.
“Të dashur vëllezër e motra, të dashur miq, të dashur besimtarë katolikë, sot siç keni dëgjuar Papa Françesku është kthyer në shtëpinë e atit. Ky lajm ka shënuar me trishtim zemrën dhe shpirtin gjithsecilit prej nesh. Ka qenë i vetmi zë që përcillte një forcë të ngushëllimit hyjnor e akoma më thellë na ka prekur neve, por në shpirtin e Krishtit të ringjallur përballë trishtimit të shkëputjes fizike nga kjo lidhje me të jemi të ngushëlluar me forcën e të ringjallurit. Zoti e ka dashur ta thirrë atë në një vit jubilar, në vitin jubilar të shpresës.
Ndaj t’i jemi mirënjohës zotit për këtë Papë që ka qenë Papa i afrimitetit, Papa që në mënyrë kurajoze foli për një Luftë të Tretë Botërore që para 10 vitesh. Papa që i dha zë atyre situatave që kurrë nuk do të kishin zë. Papa që e deshi vendin tonë duke e privilegjuar përballë të gjithë vendeve të tjera perëndimore e duke ardhur këtu pikërisht në sheshin Nënë Tereza për t’i dhënë zë këtij populli të persekutuar, të martirizuar e duke thënë që historia e këtij kombi kishte shënjuar aq shumë saqë në çdo takim kujtonte me mirësi vendin tonë dhe vizitën e tij dhe sa herë ma ka thënë edhe mua personalisht ‘unë dua të rikthehem në Shqipëri’. Papa që deshi martirët tanë, që deshi aq shumë Nënë Terezën. Papa që do të mbetet gjithmonë me vështrimin e tij të ëmbël dhe forcën e tij shpirtërore udhërrëfyes në një botë që akoma më shumë ka nevojë të zbulojë zërin e dashurisë së Zotit”, u shpreh Imzot Dodaj.
Papa Françesku u shua mëngjesin e sotëm, më 21 Prill 2025, në moshën 88 vjeçare si Papa i 226-të i Kishës Katolike Romake. Udhëheqës i Kishës Katolike e njëkohësisht sovran i Vatikanit u zgjodh më 13 Mars 2013, i pari papë jezuit dhe amerikano-latin.